Presidenti amerikan, Barak Obama e cilësoi vrasjen e Anwar Awlakit, një prej udhëheqësve të Al Kaedës, klerikut jemenit të lindur në Shtetet e Bashkuara, si goditjen më të rëndë për organizatën terroriste.
Një avion i telekomanduar i ushtrisë amerikane e kish vënë në shënjestër, bashkë me disa prej besnikëve të tij. Ekzekutimi i Awlakit vjen në kohën e një krize politike në Jemen.
“Vrasja e Awlakit shënon një tjetër gurëthemeli në përpjekjet për të mposhtur Al Kaedën dhe degët e saj. Ky sukses i dedikohet shërbimeve të inteligjencës, përpjekjeve të Jemenit dhe forcave të tij të sigurisë, që punuan ngushtësisht me Shtetet e Bashkuara përgjatë disa vitesh. Ideologjia e tij e urryer dhe vënia në shënjestër e civileve të thjeshtë është kundërshtuar nga shumica e muslimanëve dhe njerëzve të të gjithë besimeve”, tha presidenti Obama.
Mediat raportojnë se presidenti amerikan kishte urdhëruar personalisht vrasjen e Awlakit në vitin 2010, por ai kishte mbijetuar.
Ministria e Mbrojtjes përmes një deklaratë shpjegoi së Awlaki vdiq në provincën Kashef Xhauf, rreth 140 km në lindje të kryeqytetit Sanaa. Ndërsa një prej besnikëve të tij ishte Samir Khan, një shtetas amerikan, por me origjinë pakistaneze, i cili kishte krijuar një faqe interneti ku shpallte ideologjinë e Al Kaedës.
Krerë të fiseve jemenite i thanë agjensisë së lajmeve AFP se Awlaki, javët e fundit po zhvendosej nga njëra zonë në tjetrën, brenda Jemenit, në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit.
Prej kohësh ishte në fokusin e shërbimeve sekrete amerikane, të cilat prisnin t’i largohej civilëve, për ta goditur. Awlaki është cilësuar nga zyrtarët amerikanë si shefi i operacioneve të jashtme të Al Kaedës në Gadishullin Arabik.
Kur ishte imam i xhamisë së San Diegos në vitet 1990, në predikimet e tij kishin marrë pjesë edhe dy prej kamikazëve që rrëmbyen avionët, më 11 Shtator; Kalid Al Midar dhe Nauaf Al Hazmi.
Ai jetoi në Britaninë e Madhe nga vitet 2002 në 2004, ku për disa muaj u dha mësim të rinjve muslimanë. Awlaki ishte implikuar në vrasjet, në bazën ushtarake të Fort Hood-it në Teksas në vitin 2009, në tentativën e shpërthimit të një bombe në avionin me destinacion Detroitin në po këtë vit, si dhe në planin e dështuar për të vendosur bomba në Times Square në vitin 2010.
Awlaki ishtë raportuar i vdekur pas dy sulmeve amerikane në jug të Jemenit në dhjetor 2009 dhe Nëntor 2010.
Top Channel