Serbia kërkon një hetim nga Kombet e Bashkuara lidhur me incidentet në pikëkalimin kufitar të Jarinjës, ku u plagosën disa ushtarë të KFOR-it dhe serbët që kishin vendosur barrikadat.
Qeveria serbe ka kërkuar që KFOR-i dhe EULEX-i të jenë neutral në bazë të rezolutës 1244, ndonëse ka kritikuar ndërkombëtarët si fajtor për incidentet.
Qeveria e Serbisë kërkon një hetim urgjent nga Kombet e Bashkuara lidhur me incidentin në Jarinjë. Qeveria e Serbisë kërkon nga OKB që të jetë neutrale ndaj statusit dhe të veproj me misionet e saj në Kosovë e Metohi sikurse saktësohet në rezolutën 1244. Qeveria beson se tensionet mund të kalohen vetëm në bazë të negociatave dhe respektimit të plotë të të drejtave dhe interesave të popullit serb që jeton në veri të krahinës autonome të Kosovës dhe Metohisë”, deklaroi Millivoje Mihajllovic, zëdhënës i Qeverisë së Serbisë.
Përkundër faktit që Serbia ka refuzuar të vazhdoj bisedimet në Bruksel pa folur për Veriun, zyrtarët serbë thonë se janë të gatshëm për dialog.
“Qeveria e Serbisë është e angazhuar për dialogun dhe në besojmë se paralajmërimi i ardhjes së të dërguarit të BE-së, Robert Cooper në Beograd e Prishtinë do të inkurajojë për dialogun dhe presim që incidentet dhe ngjarjet tjera në veri të kanalizohen dhe të dyja palët të ulen në tavolinën e bisedimeve me ndërmjetësim ndërkombëtarë dhe të zgjidhin problemet njëherë e përgjithmonë”, shton më tej, Mihajllovic.
Ndërsa kryeministri serb, Mirko Cvetkovic, duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve të Kuvendit të Serbisë ka thënë se qeveria ka kërkuar përgjegjësi. Ndërkaq zyrtarët e opozitës kanë kritikuar duke theksuar se mbase koalicioni qeveritar më nuk e ka shumicën dhe nuk ka besimin e askujt.
Top Channel