Ekspertët e mjedisit edhe pse nuk kundërshtojnë në parim ligjin për menaxhimin e mjedisit, deklarojnë qartë se ai është i pazbatueshëm në terren.
Ajo c’ka e bën më të rrezikshëm këtë ligj për vendin është cëshjta e importit të mbetjeve nga jashtë dhe e bizneseve që do të merren me riciklimin e tyre.
Ekspertët e mjedisit mendojnë se në Shqipëri doganat nuk i kanë këto mjete dhe se menaxhimi aktual i mbetjeve në vend nuk ka nisur ende.
“Kur them që s’jemi gati të presim një metër kub mbetje, jo plehra, sepse gjithë bota vuan nga plehrat, e them pasi doganat nuk i njohin nëse nuk është mjeti i duhur. Sot është koha e teknologjive me djegie të brendshme. Kur e siguron këtë teknologji, të ma sjellësh mbetjen, e gjelbërt apo jo”, deklaron ambjentalisti Sazan Guri.
“Është shumë luks për këto mjete kur ne nuk kemi zgjidhur probleme të tjera. Duke ditur sasinë e mbetjeve që prodhohen në Shqipëri, ngelet një pikëpyetje se ku do sistemohet ky grumbullim mbetjesh të tjera. Ky projekt nuk mund të realizohet”, thotë specialisti Zamir Dedej.
Zëvendësministri i Mjedisit, Taulant Bino, një ditë pas miratimit të këtij ligji në Parlament ka theksuar se ky ligj saktëson se importi i mbejtjeve, i cili ka nisur që në vitin 2003, do të bëhet sipas listës së gjelbërt.
Sipas Binos, Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për të ushtruar kontrroll të plotë dhe të detajuar në të gjitha pikat doganore.
“Deri në këto momente, nga viti i shkuar ka pasur tre kërkesa për import dhe askush s’është ankuar për importin e hekurit, dhe plastikën. Ndërkohë, ndalohet importi i mbetjeve me qëllim ruajtjen dhe asgjesimin në territorin e Shqipërisë”, ka deklaruar Bino.
Por ndërsa deputetët e opozitës i janë referuar në Parlament studimeve që tregojnë për një skenar të zymtë mbi Shqipërinë, zëvendësministri i Mjedisit ka mohuar cdo pretendim të tillë.
Top Channel