Gaddafi: Ngjarjet në Libi, një farsë

20/09/2011 00:00

Lideri libian Muammar Gaddafi i ka cilësuar si “një farsë” evenimentet
që po zhvillohen në Libi dhe i ka bërë thirrje popullit që të mos i
besojë “ndryshimit të regjimit”.

Në një mesazh audio të transmetuar sot nga televizioni sirian Al Rai, koloneli ka deklaruar se sistemi i pushtetit në Libi bazohet tek vullneti i popullit dhe për rrjedhojë nuk mund të lëvizet.

Më pas ai ka theksuar se avionët e NATO-s në një pikë të caktuar nuk do të jenë më në gjendje të vazhdojnë operacionet e tyre në Libi.

Zëdhënësi: Gaddafi ndodhet në Libi

Muammar Gaddafi ndodhet ende në Libi, ka humor të mirë dhe një ushtri të fuqishme që i ruan shpatullat. Kështu ka deklaruar sot zëdhënësi i liderit tashmë të rrëzuar të Libisë, Moussa Ibrahim.

“Lideri është në gjendje të mirë shëndetësore, me moralin e lartë dhe ndodhet në Libi”, ka deklaruar Ibrahim në një komunikim telefonik me agjencinë e lajmeve “Reuters”.

“Ndryshe nga sa mendon bota, beteja nuk ka mbaruar ende. Ne jemi ende shumë të fuqishëm, ushtria jonë është gjithnjë e më e fortë dhe ne kontrollojmë pjesë të mëdha të Libisë”, ka shtuar zëdhënësi.

Libi, kryengritësit vazhdojnë sulmet

Kryengritësit, apo forcat pro-qeverisë së përkohshme në Libi po avancojnë, megjithëse me ngadalë, në Sirte, e konsideruar si fortesë e besnikëve të Kolonelit Muamar Gedafi. Përleshjet janë intensifikuar edhe në Bani Valid.

Vendndodhja e kolonelit nuk dihet ende. Ai është në arrati prej muajit gusht, kur forcat kryengritëse morën nën kontroll Tripolin. Besnikët e tij vazhdojnë të mbajnë nën kontroll Sirten, Bani Validin dhe disa qytete të tjerë, ndërsa trupat e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit po përpiqen të marrin nën kontroll të gjithë Libinë.

Një zëdhënës i Këshillit Ushtarak në Misurata, në bregdetin mes Sirtes dhe Tripolit tha se kryengritësit kanë avancuar, duke ju afruar prej 7 km qendrës së qytetit.  

Lëvizja e tyre është e ngadaltë, shpeshherë janë vënë në shënjestër të granatave dhe armëve. Sipas BBC-së, ka raportime kontradiktore, ndërsa zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit flet për kontrollin e aeroportit dhe një baze ajrore, në terren kryengritësit thonë se vazhdojnë luftimet në afërsi të aeroportit.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA