Të bllokuar nga barrikadat, banorët shqiptarë të cilët jetojnë në fshatin Çabër të Zubin Potokut, shprehen të vendosur që, pavarësisht presionit dhe provokimeve të banorëve serbë ata nuk do të lëshojnë shtëpitë e tyre.
Të mësuar tashmë me situata të shpeshta të kësaj natyre, ata thonë se po vazhdojnë jetën normalisht. Ndërkohë, pas bllokimit të rrugëve ata po gjejnë alternativa për të lëvizur për në qytet.
“S’lëvizim që këtej. Sa për rrugën, duhet të gjejmë dicka tjetër”, thotë Bajram Selimi, banor i fshatit Çabër.
“Jemi mësuar me këto provokime e poshtërsi. Neve na i kanë frikën, por ngaqë janë barrikadat nuk dalim. Kalojmë nga rruga për në Brinac”, shprehet Latif Kamberi, banor i të njëjtit fshat.
Fshatin Cabër, i banur me shqiptarë, e ndan vetëm një rrugë nga fshati serb Zubq. Ushtarët gjermanë kanë bërë bllokimin e kësaj rruge për qytetarët serbë.
Pak metra më tutje një grup serbësh vëzhgonte çdo lëvizje, ndërkohë që me të kuptuar që ekipi ynë i xhirimit ishte i një televizioni shqiptar, ata filluan të fyenin.
Përkundër kësaj, TCH bëri përpjekje për të intervistuar një qytëtar serb, mirëpo edhe ai me të kuptuar që po bëhek fjalë për një televizion shqiptar refuzoi të flasë.
Ndërkohë, banorët shqiptarë tregonin se pas vetbllokimit të rrugëve dhe moskalimit të mallit nga Serbia për në Kosovë tashmë në veri kanë nisur të rriten cmimet e ushqimeve.
Për më tepër, është ngritur edhe cmimi i karburanteve, cka po detyron disa nga serbët të kalojnë në jug të qytetit për t’u furnizuar.
Në anën tjetër, helikopterët e KFOR-it tashmë kanë shpërndarë mesazhe për serbët në barrikada. Ata kanë hedhur fletushka në të cilat shkruhet se KFOR-i e pranon të drejtën për protesta paqësore, por se barrikadat janë të jashtëligjshme. Në këto broshura thuhet se KFOR-i, në bazë të rezolutës 1244, e ka për qëllim të kthejë lirinë e lëvizjes.
Në këtë situatë të tensionuar, Këshilli i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Beograd ka dhënë një alarm tjetër. Në të thuhet se, Serbia po përgatit rezervistët e saj për luftë me Kosovën në muajin tetor.
Kjo organizatë ka marrë letrën e një personi që para disa ditësh e ka marrë një ftesë nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë që të jetë në gatishmëri për gjendje luftë më 5 tetor 2011.
KFOR, kontroll të imtësishëm udhëtarëve
Pjesëtarët e KFOR-it po kontrollojnë imtësisht të gjithë udhëtarët dhe automjetet të cilat nga Mitrovica e veriut drejtohen në Zubin-Potok.
Ata kanë vënë një pikë kontrolli në rrugën që kthehet te fshati i banuar me shqiptarë, Çabër, ku të hënën në mëngjes janë mbledhur një numër i madh serbësh.
“Serbët kanë frikë se edhe kjo rrugë do të bllokohet dhe ata do të ndahen nga Mitrovica, ku shumë nga ata shkojnë në shkollë dhe punojnë”, bën të ditur Telegraf.
Ndërkohë i ashtuquajturi sekretar për Kosovën në qeverinë serbe, Oliver Ivanovic, deklaron se situata aktuale dhe bllokada e veriut të Kosovës nuk mund të zgjasin shumë.
“Gjithçka varet se kur përfaqësuesit e BE-së dhe të NATO-s do të kuptojnë se fjala është për luftën të cilën paraprakisht duhet ta humbin”, th Ivanovic, bën të ditur Telegraf.
Sipas tij, BE dhe NATO nuk kanë përparësi me popullin e paarmatosur, ndërsa thekson se deri në fund të javës do të ketë një zgjidhje. Si skenarë të mundshëm, Ivanovic përmend ftesën e Prishtinës që gjithçka të zgjidhet përmes bisedimeve ose të arrihet një marrëveshje në nivelin lokal.
Ai thotë se Prishtina më nuk do të vërë embargo ndaj produkteve të Serbisë, dhe se “fjala është vetëm për frikësim”.
Rreziku për tension në veri, i pranishëm
Policia e Kosovës e konsideron të qetë situatën në veri, megjithatë vlerëson se rreziku për tension është i pranishëm.
Zëdhënësi Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti tha për Radio Kosovën se të hënën nuk është shënuar asnjë incident, ndërsa Policia bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in e ka situatën nën kontroll.
Edhe një zëdhënës i forcës paqeruajtëse në Kosovë, Ralf Adamec tha se gjendja me gjithë tensionet mbetet e qetë.
“Ne nuk do të tregojmë agresivitet dhe do t’u japim kohë negociatave që do t’i zhvillojnë përfaqësuesit politikë dhe ne shpresojmë që ata po e bëjnë një gjë të tillë”, thotë zëdhënësi i KFOR-it.
Njerëzit që po qëndrojnë pranë barrikadave nëpër rrugë dhe po protestojnë kanë qenë paqësorë, ka thënë Adamec, ndaj, kjo sipas tij nënkupton që duhet t’i jepet kohë politikës që të zgjidhë këtë problem.
Top Channel