Ambasada në dokumentat dërguar Departamentit të Shtetit zbulon qeveria po i shkakton kosto me vetëdije shqiptarëve nga dëshira e saj për t’u rizgjedhur.
Në 17 prill të vitit 2009 ambasada zbulon se vetë presidenti i Bechtelit, kompanisë që ndërtoi rrugën Durrës-Kukës, Majkëll Adams, është përpjekur të bindë Sali Berishën të mos e hapë tunelin e rrugës Durrës-Kukës në 27 qershor, dy ditë para zgjedhjeve, pasi kjo mund të ishte e rrezikshme dhe mund të rriste koston e rrugës të paktën me 15 milionë euro të tjera.
Sipas një zyrtari të lartë të Bechtel, ministri Olldashi dhe drejtori i përgjithshëm besonin se hapja e tunelit duhej shtyrë për në tetor, por askush nuk kishte guximin t’ja çonte këtë mesazh kryeministrit.
Bechtel thotë se e kuptonte presionin në të cilin ndodhej Berisha, duke ju referuar deklaratës së Edi Ramës i cili pak ditë më parë kishte akuzuar kryeministrin se kishte gënjyer me afatet e rrugës dhe që ajo tani do të inagurohej nga një kryeministër socialist.
Ashtu siç u parlajmërua nga zyrtarët e Bechtel hapja e parakohshme e tunelit më vonë çoi në shembjen e tij, që i kushtoi buxhetit jo 15 milionë euro, por gati dyfishin e kësaj shume.
Ambasada shkuran se kostoja e rrugës u rrit nga shumë arsye, një prej të cilave ishte dëshira e Sali Berishës për të patur një tunel të drejtë në të gjithë shtrirjen e tij, ndryshe nga sa ishte projektuar që tuneli të ishte i drejtë vetëm në 500 metrat e para nga të dy anët.
Ironikisht, shkruan ambasada, pak kohë më vonë qeveria nuk pranoi të rriste shpenzimet për sigurinë e rrugës duke mos pranuar të ndërtojë gardhet rrethuese të sigurisë, çka lejon fshatarët e zonës dhe gjënë e gjallë të lëvizin lirshëm në rrugë me automjetet që ecin me 120 kilometër në orë.
Kabllogramet trajtojnë edhe një sërë çështjesh të tjera lidhur me ekonominë, që prekin krizën e çmimeve të viteve 2008-2009, ku hedhin dyshime mbi vërtetësinë e shifrave të INSTAT për inflacionin ku ambasada citon një rast me rritjen e çmimit të bukës në masën 40 përqind, por që INSTAT e raportoi shumë më të ulët.
Top Channel