Zhvlerësimi i lekut ndaj euros nuk ka përkeqësuar vetëm buxhetet e familjarëve që kanë kredi në valutë, por prej kohesh po rëndon edhe qeverinë.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit, zhvlerësimi i lekut ndaj monedhave të huaja e rriti borxhin e vendit me 38 milionë dollarë.
Dhe kjo është rritja më e ulët, pasi dy vitet e mëparshme efekti i kursit të këmbimit në rritjen e detyrimeve të Shqipërisë ndaj vendeve të tjera ka qenë disa herë më i fortë.
Në vitin 2009 zhvlerësimi historik i lekut ndaj euros e rriti borxhin publik të vendit me 2.5 për qind të produktit kombëtar.
Detyrimet e Shqipërisë ndaj vendeve të tjera atë vit u rritën me 250 milionë dollarë vetëm nga zhvlerësimi i lekut.
Efekti i kursit të këmbimit në borxhin publik tani është bërë shqetësim jo i vogël për qeverinë, e cila të ardhurat nga taksat i mbledh në lekë, ndërsa detyrimet e huaja duhet t’i paguajë në valutë, e kryesisht në euro.
Me nivelin aktual të borxhit, që qëndron tek kufijtë maksimal, një lëkundje tjetër e lekut ndaj euros, e ngre borxhin e vendit mbi kufirin ligjor prej 60 për qind të produktit kombëtar, që ka vendosur parlamenti.
Qeveria tani është e ekspozuar fort ndaj rrezikut të kursit për shkak të politikës që ndoqi vitet e fundit, ku e orientoi humarrjen e vendit në tregjet e huaja.
Në fund të qershorit borxhi i jashtëm arriti në rreth 3.1 miliardë dollarë dhe krahasuar me vitin 2005 është rritur me 2.2 herë.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, Shqipëria ka sot një borxh total prej 7.5 miliardë dollarësh dhe 42 për qind e tij është marrë nga jashtë, në valuta të huaja, kryesisht në euro, kur pak vite më parë pesha e borxhit të jashtëm ka qenë poshtë nivelit 30 për qind.
Top Channel