Presidenti Obama e përmendi në fjalën e tij dy ditë më parë. “Të paktën të shmangim armagedonin ekonomik”, u shpreh presidenti i SHBA-së.
Ndërsa dy palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje mbi rritjen e kufirit të borxhit prej 14,3 trilion dollarësh. E në fakt, Armagedoni, thotë “La Repubblica”, në një shkrim-analizë të asaj çfarë po ndodh në Shtetet e Bashkuara, nuk i ka tronditur akoma tregjet të cilët vazhdojnë të shohin shenjën e stabilitetit tek bonot e thesarit amerikan, një pikë fikse në një univers të pastabilizuar.
Por, kjo për ekspertët nuk do të ishte hera e parë që tregjet zgjohen me vonesë. “Një gusht paniku si ai i 2007-s dhe 2008-s, tani nuk është më një skenar kaq i pamundur”, paralajmëron “Financial Times”. Por, si u arrit deri këtu brenda një grushti ditësh?
Revista financiare “Barron” jep këtë shpjegim. E para, thotë ajo, u desh shumë pak kohë që frika të spostohej nga periferia e eurozonës, që do të thotë Greqia, tek një vend në zemër të strukturës europiane, siç është Italia. Për të mbërritur pas kësaj, brenda një jave, në ekonominë më të madhe dhe njëkohësisht kombin më të madh debitor të botës.
Këtë çiftëzim të pazakontë SHBA-Itali, shkruan “La Republica”, e përforcon akoma më shumë fakti që të dy vendeve u ka kaluar në mendje ideja e amendimit të Kushtetutës për të vendosur aty detyrimin e nivelimit të borxhit. Shpejtësia e rrokullisjes së situatës së shenjuar nga etapa përshkallezimi të gjendjes në Greqi, Itali e tani dhe Amerikë, tregon sipas ekspertëve se kjo mund të kthehet në krizën më të rëndë që bota ka parë ndonjëherë. “Fox Neës” paralajmëroi se efekti domino nuk do të kursejë askënd, njerëz të zakonshëm, arkat e kursimit, kreditë për shtëpi, huatë për studentët.
Me pak fjalë, thotë Gary Sasse i Institutit për lidershipin publik, çdo familje amerikane do të goditet. Edhe po nuk u mbërrit në mospagimin e detyrimeve, që do të thotë falimentim i shtetit me ekonominë më të madhe në botë, kostoja e rritjes së kredive që shkaktoi një zhvlerësim i thjeshtë i agjensive të vlerësimit të riskut, do të rëndojë mbi konsumatorët duke mbytur një sipërmarrje tanimë në rrugën e zhdukjes, vazhdon gazeta.
“Wall Street Journal” përdoret këtë fundjavë tone edhe më të rënda duke përmendur Depresionin e Madh. Ëndrra amerikane, thonë ekspertët, trasformohet kështu në një iluzion patologjik, një pasqyrë e deformuar e realitetit. Nëse Obama do të arrijë ta kapërcejë këtë moment të vështirë, imazhi i tij pragmatist do të promovohet dhe nga ana tjetër do të jetë një premisë e mirë për rizgjedhje në 2012-tën, por edhe ai do ta paguajë një çmim.
Top Channel