6 kilometra vijë bregdetare, të rrethuara nga ullishtet që shkrihen natyrshëm me blunë e thellë të detit Jon. Tek-tuk shkëmbinj që ngrejnë kryet mbi ujë, e pulëbardhat, që së bashku me peshkatarët janë të vetmit vizitorë të këtij prag sezoni.
Sezoni turistik do ta gjejë serish një ishull plotësisht të harruar në jugun e Shqipërisë. Mes zonave të shumta ku investimet në këto 20 vjet nuk kanë munguar, të mëdha a të vogla qofshin, i vetmi që ka bërë rrugë të kundërt nga pjesa tjetër është Borshi. Ky oaz me vijën bregdetare më të gjatë në detin Jon, përtej premtimeve politike të majta e të djathta, nuk ka marrë asgjë më shumë, duke u anashkaluar thuajse plotësisht në të gjitha projektet qeveritare për zhvillimin turistik të jugut të Shqipërisë.
E rrjepur plotësisht nga shtresa e betonit të kohës së komunizmit, në nisje, rruga që të nxjerr në bregdetin e Borshit duket thuajse një pikë kufitare që ndan këtë zonë nga pjesa tjetër e fshatrave të Jugut. Qindra metra që duken pafund mes gropave e pluhurit e që nuk kanë asnjë lidhje më një zonë turistike.
“Komplet, që në Dhërmi gjer tek Shpella e Lukovës, gjithë plazhet me dalje në det, u asfaltuan u rregulluan, Borshi po na gënjejnë, po na mashtrojnë, do bëhet sot, do bëhet nesër”, deklaron një banor i Borshit.
Vija bregdetare duket e harruar mes mbetjeve të lokaleve të braktisura, bunkerëve që pasojnë njëri-tjetrin e rruges që tashmë bëhet e vështirë për t’u dalluar.
E kotë të kërkosh qoftë edhe investimin më minimal, dora e shtetit nuk duket askërkund. Godina të rrënuara të kohës së komunizmit janë reliket e vetme të një kohe kur dikush kujtohej edhe për këtë zonë. Nga shtëpia e pushimit të fëmijëve jetime kanë mbetur tashmë vetëm muret e lehtësuar nga catia e tjegullat.
Mes zallamahisë, kaosit të pronave e braktisjes shtetërore borshiotët përpiqen të mbijetojnë me mikëpritjen e turizmin familjar që afron cdo sezon të paktën 10 mijë a më shumë pushues. Shumë banorë mendojne se izolimi 20 vjecar i këtij fshati është rezultat i ndërthurjes së papërgjegjshmërisë së pushtetit lokal të majte a të djathte, me pengesat e tjera të ngritura sipas tyre edhe për shkak të përkatësisë fetare të Borshit.
“Është fshati më turistik që mban nga 10 deri në 15 mijë pushues në cdo 15 ditësh. Ka ngelur pas dore nga investimet se është i vetmi fshat musliman në gjithë bregdetin. Ne si banorë të Borshit këtë duam të jetojmë edhe ne si gjithë të tjerët, në qytetërim”, deklaron Qetësor Marku, banor i Borshit.
Mungesa e një plani rregullues ka bërë që ndërtimet të bëhen pa projekte e sikur të mos mjaftonte, banorët thonë se Borshi vuan mungesën e ujit të pijshëm dhe gjatë sezonit turistik ka edhe probleme me energjinë elektrike për shkak të tensionit të ulët. Me Borshin natyra është treguar e pakursyer ndryshe nga indiferenca e pushtetit për këtë zonë e që lexohet më mirë se kudo në pjesën e poshtë të fshatit, ku nuk gjen qofte edhe një park modest e aq më pak ndonjë kend sportiv.
Nga ish-burgu komunist i Borshit nuk ka mbetur asnjë shenjë e vetme. Banorët e rinj që janë strehuar prej 20 vitesh në këto godina e të ardhur, nuk dihet sesi, nga cepi tjetër i Shqipërisë, bëjnë një krahasim të dhimbshëm të kësaj zone me ato më të thellat në veri të vendit.
Në këtë realitet Borshi duket i zënë nën hijet e fshatrave të tjerë të jugut, por edhe të ishujve grekë që herë shfaqen e herë mbulohen nga retë diku në horizont.
Asgjë nuk ndryshon edhe në pjesën e sipërme të fshatit, rrugë të pashtruara e njerëz që ecin kuturu mes makinave që ngjisin me vështirësi rrëpirën e fortë.
E tashmja dhe e shkuara mes të njëjtit fat janë shkrirë në mënyrë thuajse të pandashme.. Historia nuk mund të ishte ndryshe nga realiteti i sotëm i Borshit, që është shpërfillur e hedhur tej si një plackë e pavlerë.
Rruga për këmbësorë që të con në Kala, e inaguruar jo shumë kohë më parë është carë tej e përtej, ndersa vetë kalaja që daton në shekullin e tretë apo të katërt para erës sonë, ofron nje imazh sa magjepsës, për shkak të pozicionit, aq edhe të dhimbshëm si pasojë e mosmirëmbajtjes.
Xhamija qe ngrihet brenda kalase se sopotit nje nder me te vjetrat e jugut te shqiperise thuajse mezi mbahet ne kembe, mes mureve qe duket sikur do te zene poshte nga casti ne cast.
Me malet e larte nga njeri krah , mes ullishteve e rrugeve te shkaterruara , bunkereve, historive te lashta, banoreve , reve te pluhurit qe ngrihen mes banesave, e bregdetit qe behet njesh me qiellin, mes kontrasteve te forta e premtimeve te pambajtura te politikes se madhe shtrihet Borshi, perla e harruar e jugut te shqiperise.
Top Channel