TIRANË- Erjol Ceka 31 vjeç është arrestuar nga policia për shkak se ishte i kërkuar nga Interpol për llogari të Italisë.

I riu, banues në qytetin e Kamzës, sipas policisë është i dënuar me 13 vite e 3 muaj burgim në Itali për një seri veprash penale.  Operacioni për kapjen e tij është realizuar nga komisariati nr.5 në Kamëz me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.

Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kamza”.

Operacioni, nga Komisariati i Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda në DVP Tiranë dhe Interpol Tirana.

Kapet dhe arrestohet, me qëllim ekstradimi, një i kërkuar nga drejtësia italiane, i dënuar për një sërë veprash penale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda në DVP Tiranë dhe Interpol Tirana, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të kërkuar nga drejtësia italiane, për një sërë veprash penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kamza”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi, me qëllim ekstradimi, i shtetasit Erjol Ceka, 31 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali.

Autoritetet gjyqësore në Torino, Itali, me vendimin penal Nr. 997/2019 SIEP, datë 17.02.2020, e kanë dënuar këtë shtetas me 13 vjet, 3 muaj e 17 ditë burgim, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Vjedhja”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Ky shtetas dyshohet se më datë 17.01.2011, në Asti, Itali, ka tentuar që të shtypë me makinë shtetasin italian  S. S., duke i shkaktuar atij plagosje dhe fraktura.

Më datë 14.12.2012, së bashku me një person tjetër, ka vjedhur para dhe sende me vlerë në një bar.

Gjithashtu, më datë 31.01.2015, në bashkëpunim me një person tjetër, ka plagosur rëndë me thikë shtetasin shqiptar A. G.

Materialet e arrestimit të përkohshëm, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Top Channel