Një ekip shkencëtarësh kinezë ka kryer një studim të ri ditët e fundit, në përpjekje për të zbuluar lidhjen mes grupit të gjakut dhe rrezikut të hospitalizimit nga virusi që ka mbyllur në izolim një glob të tërë. Studimi kërkon pak kohë deri sa të publikohet, megjithatë, gjetjet e deritanishme tregojnë që ka një lidhje të tillë.

Grupi i Gjakut A Dhe Virusi
Për kryerjen e studimit, ekspertët kqyrën grupet e gjakut në mesin e 2,173 individëve të shtruar në spital pas infeksionit me COVID-19. Secili prej këtyre individëve ishin të shtruar në spitale të ndryshme. Nga analiza e bërë, ekspertët zbuluan se një numër i madh njerëzish me grupin e gjakut A, ishin të shtruar në spital si pasojë e infeksionit me COVID-19.

“Njerëzit që kanë grupin e gjakut A, janë ndjeshëm më të rrezikuar nga infeksioni me COVID-19, në krahasim me grupet e tjera,” than ë një intervistë bashkëautori i studimit Jiao Zhao. “Njerëzit që kanë grupin e gjakut 0, kanë një rrezik ndjeshëm më të ulët nga ky infeksion,” shtoi ai. Megjithatë, ekspertët nënvizojnë se rreziku të cilit i referohen ata është ai i shtrimit në spital si pasojë e infeksionit dhe jo thjesht infeksioni ose kapja e virusit COVID-19. Për këtë këshillë, ekspertët argumentojnë se në studim janë përfshirë vetëm njerëzit që kanë qenë aq sëmurë sa iu është dashur të shtrohen në spital dhe jo të tjerët të cilët e kanë kaluar atë apo ata që janë futur në karantinë.

A Duhet Të Frikësohen Njerëzit Me Grupin e Gjakut A?
Sakthi Vaiyapuri, ekspert pranë Universitetit të Reading në Mbretërinë e Bashkuar, nënvizon se njerëit që kanë grupin e gjakut A, nuk duhet të frikësohen nga gjetjet e para të studimit të lartpërmendur. “Të dhënat për arritjen e kësaj hipoteze janë të pamjaftueshme për të pretenduar me gojën plot se ka një lidhje të fortë mes grupit të gjakut dhe gjasave për tu sëmurë nga COVID-19,” thotë ai. “Për arritjen e këtij konkluzioni, duhet të analizohen shumë parametra, ndaj këto gjetje kanë argumenta që nuk mbështeten nga komuniteti shkencor,” shtoi Vaiyapuri. Sipas tij, gjetjet e ekspertëve kinezë mund të jenë thjesht rastësore dhe se situata aktuale është shumë e paqartë./AgroWeb

Top Channel