“Do të të bëj monument te hyrja e spitalit”/ Mbledhja online e qeverisë, zbardhet procesverbali

26/03/2020 15:29

Nisur nga çfarë deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga sot do të nisë puna për rehabilitimin e godinës rezidenciale, e cila do të kthehet në një spital karantinë për të sëmurët me COVID-19.

Sipas Manastirliut, kohëzgjatja do të jetë 20 ditë, çka e shtyu kryeministrin e vendit, Edi Ramën të shprehej se “në 20 ditë po e fillove, do të të bëj një monument te hyrja e spitalit”.

Më poshtë do të gjeni bashkëbisedimet gjatë mbledhjes online të qeverisë:

Kryeministri Edi Rama: Së pari, lidhur me kanalin e urgjencës që kemi hapur për të gjitha llojet e ankesave që nuk lidhen me 127-ën, për të mos e ngarkuar 127-ën, por edhe për të mos adresuar shumë lloj problemesh të natyrave të ndryshme që kanë njerëzit, edhe në mënyrë konkrete përmes Platformës së Bashkëqeverisjes. Si gjithmonë, po këtë herë edhe më shumë se gjithmonë duhet reagim i shpejtë. E kemi thjeshtuar maksimalisht. Njerëzit bëjnë thjesht dhe vetëm një shënim, lënë numrin e telefonit. Merren në telefon nga gjithë skuadra e bashkëqeverisjes që është e qendërzuar këtu, por e shpërndarë edhe tek ju. Duhet reaguar menjëherë!

Unë kam pasur disa telefonata me njerëzit. Janë probleme që nga larg duken të vogla, në jetën e njerëzve janë probleme të mëdha që duhen zgjidhur. Një problem që e kam hasur, e hasin edhe tekBashkëqeverisja që në ditën e parë, shpesh edhe në komente në faqen time, lidhet me bonusin e qerave në Durrës. Ministria e Financave ka 1 miliardë në dispozicion, prandaj të gjitha këto rastet e ankesave për bonusin e qerave në Durrës duhet të adresohen me urgjencë dhe duhet parë e gjitha ku është problemi, se nga Durrësi është i vetmi vend ku ka ankesa për bonusin e qerave.

Ministri i Shtetit, Arben Ahmetaj: Akti Normativ i ka dhënë Ministrisë së Financave 1 miliardë për të vazhduar në periudhë afatmesme. Ne i kemi kërkuar Bashkisë së Durrësit, sëbashku me Ministrinë e Financave që t’i rishikojë edhe njëherë listat, që të jenë ligjërisht të sakta dhe jo të kthyera. Pas kësaj besoj që Ministria e Financave mund të ecë me porcione të plota muaj pas muaji në vazhdim. Sot konsiderohet problem pa pengesë, pra, i zgjidhur, vetëm procedura.

Kryeministri Edi Rama: Duhet nxitur përshpejtimi dhe mbyllja e procedures, sepse janë ankesa dhe e vetmja këshillë që unë i kam dhënë atyre që ankohen është se mos ja hap derën pronarit, kur të vjen për të kërkuar qeranë, sepse qeraja është aty. Por edhe për shkak të Covid dera nuk hapet. Por sidoqoftë duhet zgjidhur.

Pika e dytë, meqënëse jemi këtu, lidhur me shtëpitë, e kemi thënë dhe do t’i qëndrojmë që ata që janë në pritje të shtëpisë nuk do rrinë të presin të ikë armiku dhe pastaj të shohin cfarë do bëjmë. Ku jemi me procedurën?

Ministri Arben Ahmetaj: Të dyja procedurat, qoftë në Bashkinë e Tiranës, qoftë Fondi Shqiptar i Zhvillimit janë hapur. Fondi Shqiptar i Zhvillimit e mbyll procedurën e ofertave këtë të premte dhe menjëherë kalon pastaj tek ofertat financiare, për të vazhduar me procedurën e për të kapur atë që ju jeni referuarsi premtim më 31 dhjetor. Në anën tjetër, Bashkia e Tiranës po shikon sot dhe nesër procedurën që u mbyll pardje, gjithë dokumentacionin e kompanive, ku me ta rezulton se akoma nuk janë të bindur që kompanitë që kanë prezantuar ofertat i plotësojnë kushtet e dokumentacionit. Kështu që paraprakisht nga diskutimi me ta, ata mund t’ju duhet që ta rihapin edhe njëherë tjetër procesin për një 10 ditësh tjetër, që do të thotë, duke filluar nga dita e premte, po e marr si numërim procedure, ta ripahin edhe njëherë, për të ripritur kompani më gjerë dhe që plotësojnë dokumentacionin. Edhe kjo vazhdon normalisht.

Kryeministri Edi Rama:Por asnjë tolerancë tek cilësia! Shtëpitë do t’ua bëjmë më të mira sesa i kishindhe pa diskutim, me të gjitha ato siç e kemi premtuar

Tjetra është një ankesë që lidhet me kopshtet private. Kopshtet private, – unë besoj se konsiderohen biznes i vogël, – janë mbyllur. Ata që punojnë në kopshte private janë nëpër shtëpi. Thjesht për ta saktësuar, hyjnë tek paketa punonjësit e tyre, apo nuk hyjnë?

Ministri Arben Ahmetaj: Automatikisht, çfarë janë me përgjegjësi tatimore dhe nën 14 milionë qarkullim hyjnë te bizneset private dhe përfitojnë automatikisht nga paketa, vendimin e së cilës po e mbyllim sot në darkë, që në bazë të procedurës të vazhdojë verifikimi në fillim të prillit të gjithë pagesat, sipas VKM-së dhe asaj që ju keni deklaruar. VKM do iniciohet zyrtarisht nga Ministria e Financave dhe ministri i Shtetit, nga unë dhe do të jetë gati sot në darkë, e gjitha e formatuar.

Kryeministri Edi Rama: Cështja tjetër lidhet me Ministrinë e Financave, përsa i përket pensioneve. Ne duhet patjetër të bëjmë indeksimin e pensioneve. Janë rreth 20 milionë euro që do t’u shkojnë pensionistëve. Kur e kemi gati këtë?

Ministria e Financave, Anila Denaj: Ne kemi premtuar këtë për muajin prill. Kemi filluar punën. Fondi është 2.5 miliardë lekë të reja për vitin 2020. Jemi në proces dhe besoj që arrijmë aty në atë kohë që kemi premtuar.

Kryeministri Edi Rama: Kur është koha fiks?

Ministria Denaj: Në muajin prill.

Kryeministri Edi Rama: Muaji prill është shumë i gjatë, është më i gjatë sesa prilli i viteve tjera dhe i viteve që do vijnë. Kështu që kur konkludohet kjo?

Ministria Denaj: Ne e përfundojmë këtë javën e parë të muajit prill.

Kryeministri Edi Rama: Kjo është ajo që duhet!

Tjetra është sërish për Ministrinë e Financave lidhur me afatet e bilanceve për të mos bërë konfuzion sëbashku me tatimet. Kështu që mund ta sqarosh, duke qenë se kemi edhe njerëz që na ndjekin këtu

Ministria Denaj: Në fakt, ne shtymë afatin deri në korrik të vitit 2020 për dorëzimin e bilanceve, për të mundësuar bashkimin e dy periudhave dhe dorëzimin e bilanceve online në QKB. Kështu që dorëzimi i bilanceve nga periudha e fundit e këtij muaji shkon në fund të korrikut. Jemi duke përgatitur VKM-në përkatëse dhe do ta depozitojmë ditën e nesërme.

Mininstri Ahmetaj: Ndërsa deklarimi i tatimeve, pra, tatim-fitimit dhe i sigurimeve në mënyrë absolute nuk shtyhet, s’ka lidhje me këtë.

Kryeministri Edi Rama: Kjo duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë dhe po përfitoj nga rasti ta përsëris që nuk kanë lidhje këto dy gjëra. Taksat dhe sigurimet do paguhen. Do paguhen sepse përndryshe nuk shkojmë dot përpara në këtë luftë dhe përfundojmë në një gropë ku as Corona nuk na gjen dot, edhe po të na kërkojë. Ashtu sikundër pagesat e dritave do bëhen një për një. Kush nuk do paguajë drita nuk do ketë drita, nuk ka diskutim. Këtu nuk është bërë deti kos, përkundrazi.Mospagesa e dritave krijon një efekt zinxhir negativ në të gjithë hallkat e financave dhe pastaj nuk kemi mundësi t’i përgjigjemi nevojave të luftës, por jo vetëm kaq, po mund të përfundojmë pastaj në kolaps. Kështu që pagesa e dritave nuk negociohet, ashtu sikundër detyrimet bazike nuk negociohen. Nuk ka negocime për këto. Kemi falur kamat vonesat komplet, kemi fshirë kamat vonesat për të gjithë. Tani të gjithë janë vetëm në raport me aktualitetin, çfarë shpenzojnë, atë paguajnë. Kush thotë që nuk kam mundësi se shpenzoj shumë, të shpenzojë më pak, të kursejë dritat dhe të paguajë më pak.Nuk ka rrugë tjetër. Nuk mundet dot që të hyjmë në një situatë krize në sektorin e energjisë nga e para, sepse implikimet janë të jashtëzakonshme. I bie që të heqim nga buxheti, për të financuar OSHEE-në. Ato që heqim nga buxheti, kujt do ia heqim? Do ia heqim financave të luftës? Nuk ka shans

Sandër, të lutem, njëraport përmbledhës sa i përket gjithë angazhimit të prefektëve nëpër qarqe.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi:  Që nga momenti i parë kur kanë  filluar operacionet për asistencën ndaj qytetarëve që kanë nevojë,  ku përfshihen të moshuarit, të cilët nuk ka kush të kujdeset për ta, pasi janë  në kushte shëndetësore jo të mira, apo të tjerë si kategori të brishta sociale, personat me aftësi të kufizuara etj., i janë nënshtruar një procesi të gjerë  asistence nga institucionet, i cili synon shpërndarje të paketave ushqimore  për ata që kanë nevojë për ushqime, shpërndarje medikamentesh, shpërndaje e pensioneve, si dhe kryerjen e shërbimeve të tjera që s’kanë mundësi që t’i kryejnë. Pra, është një komepks i madh masash, i cili po realizohet nga angazhimi i  shumë institucioneve, qoftë pushteti qendror, qoftë dhe ato të pushtetit vendor. Ky operacion koordinohet nga Mbrojta, por në nivelin lokal nga prefekti. Janë disa shifra inkurajuese, që tregohet volumi i punës së kryer deri tani. Deri  mbrëmë në darkë  janë asistuar rreth 40 mijë qytetarë. Ekzaktësisht 38 mijë e 69 qytetarë. Dhe mbrëmjen e sotme këtij numri i shtohen edhe disa mijëra të tjerë. Një operacion, i cili po zhvillohet në mënyrë frontale në të gjitha qarqet e vendit. Kryesisht janë tre kategori kryesore: janë paketat e ndihmës ushqimore, shpërndarja e barnave mjekësore tek ata që përfitojnë medikamente dhe ndihma të tjera, që janë kryesisht blerja dhe kryerja e shërbimeve të tjera për të moshaurit, të cilët janë në kushtet e pamundësië, ose të cilëve, ne nuk u inkurajojmë dhe nuk lejojmë daljen në rrugë për shkak të brishtësisë së madhe që ata paraqesin përballë virusit.

Sipas qarqeve:

Berati: 2238 qytetarë të asistuar.

Paketat familjare janë 26 778 paketa të shpërndaranë rang kombëtar. Ndërsa në nivelin e medikamenteve janë 5732 raste. Ndërsa në rubrika të tjera ku përfishihen asitenca për kryerje shërbimesh ndaj të moshuarve, 5559 qytetarë të asistuar deri në mbrëmjen e shkuar.

Kryeministri Edi Rama: Unë dola sot me drejtuesit e policisë dhe pash pak situatën. Situata është goxha më mirë në tregje. Por kemi dy probleme që duhen adresuar me urgjencë. E para, pensionistët duhen kthyer në shtëpi. Kemi folur  bashkarisht me ministren e Mbrojtjes, me ministren e Shëndetësisë, si edhe bashkë, për të targetuar shërbimet për pensionistët. Kjo është prioritet. Pensionistët kryefamiljarë që janë vetëm në çift ose vetëm duhen shërbyer nga ne. Të tjerët duhen ndihmuar nga fëmijët që i kanë në të njëjtin qytet. Por policia duhet të kthejë mbrapsht çdo të moshuar në shtëpi. Pensionistët duhen kthyer nga rruga dhe patrullat e policisë që bëjnë mbikëqyrjen nuk duhet të vazhdojnë rrugën, kur shohin një pensionit. Duhet të ndalojnë dhe t’i thonë: Në shtëpi! Ashtu sikundër problemi tjetër që shoh është ecja bashkë. Është e ndaluar. Është e rrezikshme. Duhet të ecin një e nga një dhe tek. Nuk ka dalje bashkë me ”jemi burrë e grua”. Mund të jesh burrë e grua, por, në qoftë se ne lejojmë ecjen bashkë, këtu bëhen të gjithë të martuar. Policia nuk do të rrijë të identifikojë. Në qoftë se je i shoqëruar, gjobitesh dhe gjoba është  goxha e kripur. Këmbësorëve që nuk respektojnë rregullin,  jo vetëm që  u vihet gjoba, por u sekuestrohet edhe makina. Na e kopjoi edhe Italia këtë masë. Italia e vuri  pardje, ne e kishim që në fillim. Ju lutem shumë, këto dy gjëra shikoj unë problem tani që flasim në zonat urbane dhe në Tiranë, se në të tjerat nuk i kam parë me sytë e mi. Është shumë e rëndësime kjo

Ministri Lleshi: Patjetër që është e rëndësime.Ne do ta intesifikojmë punën për ta adresuar më fort, qoftë fenomenin e daljes në grupe, apo daljes së të moshuarve në rrugë. Për të dytën, për daljen e të moshuarve janë marrë masa.

Kryemimnistri Rama: Patjetër, nuk është një  fenomen shumë i përhapur si në fillim, por prapë ka. Nuk duhet lënë asnjë.

Ministri Lleshi: Asistenca në shtëpi ka mbërritur tek rreth 6 mijë veta, por do ta shtojmë patjetër. Po angazhohen fort edhe bashkitë në këtë proces. Ndërsa për daljet e paautorizuara, ose shkeljen e rregullave të qarkullimit duhet t’i forcojmë. Jam dakord me ju. Masat janë aplikuar në fakt. Janë një numër i konsiderueshëm masash deri tani. Janë rreth 1 mijë e 60 mijë qytetarë, të cilët janë penalizuar pikërisht për këto arsye, për raste të ndryshme për dalje, për mosmbyllje të lokaleve të tregtisë, për shkelje të orarit të qarkullimit për këmbësorët. Janë 930 raste këmbësorësh, të cilët janë penalizuar pikërisht për shkelje të këtyre rregullave, apo mos zbatimit të detyrimit të vetëkarantiminit, sepse një kategori qytetarësh janë identifikuar nga organet e shëndetësisë si të detyruar për t’u vetëkarantinuar, janë konstatuar në rrugë dbe janë marrëmasa ndaj tyre. Por sigurisht që vlen dhe është nevoja për të qenë më konseguent  në këtë drejtim, sidomos në raste të shkëputura.

Kryeministri Rama: Është shumë e qartë, jam shumë dakord. Po të ishim në kushte normale, me këto shifra, ne do ishim vendi i parë në botë. Por në këto kushte lufte nuk duhet të kënaqemi, deri në fund. Po minimizohet fenomeni. Tregjet janë  përmirësuar goxha. Ajo historia e orarit  faktikisht mbetet një argument kot, sepse fakti tregon që funksionon, por duhet ta shtrëngojmë deri në fund, që të shpëtojmë dhe të mbrojmë çdo familje. Sepse 1 mijë veta në tërësi, çfarë janë? Nuk janë asgjë në gjithë  këtë vend dhe në gjithë këtë popull. Por 1  mijë veta, janë 1 mijë vatra rreziku për ata vetë dhe për familjen

Prandaj duhet të mbrojmë çdo jetë dhe të mbrojmë çdo person me çdo çmim. Këtu duhet vetëm pak rritje e vëmendjes dhe intesitetit në këto dy drejtime, sepse mesa shoh në lëvizjen e përgjithshme është vënë rregull. Nuk diskutohet janë dhe shkelje të vogla. Kurse tek këmbësorët nuk na mjafton vetëm që të dalin brenda orarit, por të dalin vetëm. Dhe jo të rrinë në vend dhe pastaj mblidhen dy e mblidhen tre, bëjnë dhe ndonjë muhabet. Por të ecin, të mbarojnë punë dhe të shkojnë në shtëpi. Ndërsa pensionistët duhet t’i kthejmë mbrapsht, duhet t’ua bëjmë të qartë që jemi të detyruar t’ua mbrojmë jetën, edhe  duke qenë komplet të papëlqyeshëm.

Besoj e kemi kolauduar operacionin e rrjetit humanitar, sepse jemi tek mbi 30 mijë dyer që kemi trokitur, por kemi akoma. Përfitoj nga rasti t’ju them të gjithëve të bëjnë durim. Do shkojmë tek të gjithë. Ata që janë më në nevojë, nuk diskutohet, por njëkohësisht na duhet të targetojmë me shumë kujdes pensionistët që janë pjesa më vulnerabël dhe duke ju thënë mos dilni nga shtëpia, duhet të shkojmë t’ua bëjmë ne shërbimin. 6000 mijë shërbime qëtha ministri është inkurajuese, por nuk duhet të mbetemi me kaq, duhet ta zgjerojmë 

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaça:

Kryeministër, në fakt që përpara 5 ditëve kur u mor edhe vendimi i Këshillit të Ministrave, me anë të të cilit realizohet ofrimi i asistencës në shtëpi ndaj shtresave në nevojë nga strukturat shtetërore në kuadër të emergjencës që kemi, është ngritur një skemë mirëfilli patronazhi, nga qendra deri në terren në mënyrë shumë intensive dhe shumë kapilare përmes disa shtabeve ndërinstitucionalë. Sigurisht ofrimi i asistencës sipas këtij vendimi konsiston në dërgesën e pagesave mujore që këta subjekte përfitojnë nga programi i mbrojtjes sociale, nga sigurimet shoqërore, por edhe në dërgimin e produkteve ushqimore dhe atyre joushqimore minimale, barnave të rimbursueshme dhe atyre me kërkesë për përballimin e situatës, apo siç e thatë edhe ju për kryerjen e furnizimeve me produktet e nevojshme për të gjithë ata pensionistë apo ato familje që situata i detyron të mos dalin nga shtëpia. Dua ta theksoj që shërbimi i kësaj nuk është vetëm për t’u ardhur në ndihmë familjeve, padiskutim që ky është një objektiv i rëndësishëm, por mbi të gjitha këto kategori, veçanërisht ajo e pensionistëve nuk duhet të dalin nga shtëpitë, sepse janë më të rrezikuarit nga infektimi me këtë virus. Për këtë arsye ne po bëjmë çmos që t’i shkojmë gjithkujt në ndihmë, për tu shërbyer me gjithçka që mund t’i ofrojë shteti.

Atëhere skema që kemi ngritur është përmes një komisioniqendror për ofrimin e asistencës, kryesohet nga Ministri i Mbrojtjes dhe në përbërje të shtabit kryesor janë zv.ministri i brendshëm, përgjegjës për çështjet vendore, është Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile, është Drejtori i Fondit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, është Drejtori i Operatorit të shërbimit të kujdesit shëndetësor, është Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Social Shtetëror, është Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Drejtori i departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe janë përfaqësues nga shoqata vullnetarësh që janë bërë pjesë me miratim të kryetarit të grupit të punës, që do të thotë që kemi përfshirë edhe ato shoqata, ata bamirës apo ato fondacione të cilët ndihmojnë në terren duke ofruar pako ushqimore për familjet në nevojë, të cilët do të koordinohen me ne që kjo skemë të jetë funksionale dhe të ketë mundësi që këto shërbime t’ua ofrojmë gjithkujt që ka nevojë. Sigurisht që qëllimi i ngritjes së komisionit është menaxhimi në nivel makro i gjithë këtij procesi dhe i ofrimit të asistencës  për të gjithë ata që kanë nevojë. Skema do të funksionojë në formë piramidale. Asistenca pranë familje do të kryhen nga grupet e terrenit, të cilët do të përbëhen nga punonjës të bashkive dhe të njësive administrative, nga administrator socialë, nga punonjës të shërbimit social, nga efektivë të Forcave të Armatosura, nga mjekë të familjes dhe punonjës të postës shqiptare. Pra, pikërisht kemi ngritur një skemë mirëfilli patronazhi që ka një piramidë që fillon nga qendra zbret në bashki, në njësi bashkiake dhe deri në grupet e zbatimit në terren të cilët përbëhen nga sa më sipër. Është e rëndësishme të theksohet se këto janë grupe ndërinstitucionale, të gjithë këta aktorë shtetërorë, të cilët kanë në kujdesin e tyre grupe të caktuara të bëjnë më të mirën për të bërë të mundur që shërbimet t’i shkojnë gjithkujt në familje sipas nevojave.

Në fund të çdo dite ne krijojmë një raport  z.Kryeministër. Për fat të keq po jua tregoj kështu, por ky është raporti që ne kemi për çdo qark, me pakot ushqimore të shpërndara tek të gjithë, tek të gjithë penionsitët, që janë asistuar, tek të gjithë ata persona me aftësi të kufizuara që përfitojnë nga pagesa e invaliditetit, me të gjitha barnat që janë shpërndarë në shtëpi, dhe kemi një panoramë shumë të përgjithshme të gjithë këtij mekanizmi, i cili për hir të së vërtetës na ndihmon dhe është i azhornuar dhe ne jemi në terren 100 për qind të kapaciteteve tona.

Edhe po t’i shikoni në fakt këto shifra në gjashtë ditë që ne kemi ofruar këto shërbime kemi filluar me numra të konsiderueshëm, ditët e para por të cilët janë disafishuar në ditën e pestë. Dhe sot presim një numër edhe më të madh të asistencës ndaj këtyre familjeve. E tha dhe ministri Lleshaj 26 218 pako janë shëprndarë në këto 5 ditë pako ushqimore por familjet në nevojë dhe janë shëprndarë 5735 barna pranë familjeve të pensionistëve të cilët janë kryefamiljarë apo nuk kanë fëmijët e tyre pranë në njësinë e tyre administrative të cilëve po u shërbejmë me çdo nevojë që kanë.

Duhet të them sepse ka pasur goxha le të themi pyetje për kategoritë që përfitojnë nga kjo përpjekje ndërsinstitucionale, dhe sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, familjet dhe kategoritë që përfitojnë janë familje në nevojë të cilët janë të pastreha, familje që kanë humbur banesën për shkak të tërmetit, familje dhe individë në nevojë që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe familje që janë kategorizuar që nuk kanë të ardhura për të jetuar përveç ndihmës ekonomike, familje që kanë në përbërje, të madhe të fsamiljarëve, mbi 5 anëtarë, 3 prej teë cilëve janë nën 18 vjeç. Këtë kategori psh kemi vendosur që ta asistojmë në mënyrë shumë sistematike duke qenë se përbërja e tyre apo le të themi konsiderohet si familje e varfërisë ekstreme kur nuk kanë të arhdura tëe tjeëra përveç ndihmës ekonomike, po ashtu familje përfituese të ndihmës ekonomike mnga fondet e bashkive dhe 6 përqindshi i bashkisë. Po ashtu personat me aftësi të kufizuar dhe penionistët që janë kategoria më e rrezikuar në kushtet e kësaj pandemie. Në total asistenca sociale e përcaktuar përmes këtij vendimi dhe e koordinuar nga Komisioni qendror për ofrimin e asistencës bën që të përfitojnë nga pakot ushqimore, nga asistenca, në total 609 429 familje dhe individë. Pra familje që i përkasin kategorisë së ndihmës ekonomike, dhe pensionistët  apo persona me aftësi të kufizuara të cilëve do tu shërbehet me të gjitha shërbimet, përfshirë dhe shpenzimet e përditshme, barnat e rimbursueshmee falas pranë familjeve të tyre për të bërë të mundur që izolimi i tyre në banesat e tyre , distancimi social të mos jetë i mundimshëm gjatë kësaj periudhe të përballimit të vështirë të kësaj emergjence.

Kryeministri Edi Rama:Pensionstëve ju kemi thënë nuk do dilni nga shtëpia dhe nuk do i lëmë të dalin nga shtëpia, por duhet t’i garantojmë çuarjen e pensionit në shtëpi.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaça:Po po Absolutisht po

Kryeministri Edi Rama:Nuk duhet që pensionistët të marrin rrugën e të shkojnë të mbajnë radhë atje, sepse ajo hedh në erë të gjitha përpjekjet. Po të mblidhen në sportele 20-30 veta është katastrofike, kështu që skema e çuarjes së pensionit në shtëpi duhet të funksionjë me se s’bën.

Tjetra është nevoja që Forcat e Armatosura, që po bëjnë një punë të shkëlqyer, të jenë sa më prezente gjatë kohës së lejimit të qarkullimit, që do të thotë që duhet të jenë në terren, siç janë, por duhet të jenë duke qarkulluar.Shohin dy këmbësorë bashkë, duhet të bëjnë të njëjtën gjë që bën policia në ato raste kur nuk janë në grup miks, t’i ndalojnë dhe t’u thonë stop, të thërrasin policinë, e cila t’u vendosë gjobën. Po ashtu, nëse shohin një pensionist në rrugë, ta ndalojnë, t’i thonë mbrapa. Kjo duhet parë me vëmendje.

Ministria e Drejtësisë për Aktin Normativ të djeshëm, për mekanizmin si do bëhet dalja nga burgjet për tre muaj e 600 personave që përfshihen në këtë Akt, sepse edhe për këtë ka pasur pyetje dhe mbase për këtë duhet të bëhet edhe një nënvizim. Ndërkohë edhe unë dua ta di personalisht ca po bëhet aktualisht tani që po flasim për të implementuar aktin.

Ministria e Drejtësisë,Etilda Gjonaj: Me hyrjen në fuqi të aktit normative që ditën e djeshme, drejtori i burgjeve në bazë të urdhërimeve të aktit normative, ka nxjerrë udhëzimet për ngritjen e komisioneve që do të shqyrtojnë dokumentet dhe dosjet administrative të cdo të dënuari që përfiton nga kriteret e aktit. Është komisioni i çdo IEVP do të jetë i pari që do të shqyrtojë kërkesën dhe dokumentat e kërkuar nga legjislacioni. Fillimisht janë miratuar 3 formularët, formulari I parë është ai që plotësohet nga i dënuari dhe tregon që plotësohen kriteret e kërkuara nga akti normativ dhe i drejtohet institucionit, formulari i dyti është deklarata e përgjegjësisë që firmos i dënuari që do të dalë pra nëse do ta përfitojë dhe formulari i tretë apo deklarata e tretë, është ai që jep çdo familjar duke dhënë pëlqimin që personi i dënuar të rrijë në shtëpi. Të gjitha këto formularë janë publikuar njëkohësisht edhe në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Nga ana tjetër komisioni içdo IEVP I cili ka 5 ditë afat po komunikon me të gjithë familjarët që janë paraqitur për të gjitha kërkesat e të dënuarve sipas listës paraprake që ka përgatitur cdo IEVP duke I kërkuar dhe komunikuar familjarëve se cilat janë dokumentacionet që do duhet të sigurojnë ata apo njëkohësisht për të firmosur edhe deklaratën që duhet. Përsa i përket dokumentacionit që I kërkohet familjarëve të të dënuarve ku do të qëndrojnë në banesat, është në rradhë të parë një vërtetim i banesës, por që është një dokumentacion që sigurohet nga vetë drejtoria e e përgjithshme e burgjeve meqënëse e kemi përfshirë në dokumentacionin që mund të merret online, certefikatën familjare për të kuptuar lidhjen e personit bashkë me të dënuarin dhe gjithashtu sic e thashë deklaratën e përgjegjësisë për realizimin e të gjitha rregullave që përmban akti normativ për të dënuarit.

Nga ana tjetër, të gjitha IEVP brënda afatit 5 ditor që ditën e djeshme kanë filluar komunikimin me prokuroritë e rretheve dhe policitë në formë shkresore për të marrë informacionin e nevojshëm për kriteret ndaluese që përmban akti normativ, nëse këta persona kanë një process hetimi tjetër dhe a kanë rrezikshmërinë për ambientit ku do të jetojnë por për të kuptuar edhe rrezikshmërinë nga institucione të tjera. Shërbimi i Brendshëm i Kontrollit të Burgjeve i përfshirë në këtë proces për masat që mund të kenë marrë të dënuarit dhe ku mund të kenë qënë problematikë. I gjithë procesi administrativ është i rregulluar nëpërmjet akteve të nxjerra tashmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Sot është ngritur dhe komisioni i posaçëm i ankimeve,i cili ka një përbërje më 7 anëtarë dhe që do të marrë në shqyrtim çdo vendimmarrje nëse ka ankesa nga persona që nuk iu është miratuar leja për shkak të ndalimit nga kriteret ligjore por që edhe nuk garantojnë aspekte të tjera filtruese me qëllim që te garantohet edhe siguria dhe respektimi i rregullave gjatë qëndrimit në shtëpi. Përsa i përket numrit total që është nxjerrë deri tani është 600 ashtu sic e kemi deklaruar publikisht, por kjo nuk do të thotë që do të jetë ky numri final pasi do të ketë ulje të tij pasi disa të dënuar nuk do të garantojnë elementët që janë vendosur si garanci për të siguruar edhe rendin.

Nga ana tjetër, të gjithë atyre që kanë bërë kërkesat dhe që janë të dënuar ju është bërë me dije të gjitha rregullat për të qëndruar në shtëpi, rregulla që janë të vendosura edhe në aktin normativ, ku e para është të mos largohen nga shtëpia, të mbajnë kontakte me Drejtoritë Vendore të Policisë por njëkohësisht edhe Policinë e Burgjeve dhe duke shmangur kontaktin fizik përsa kohë jemi në këtë situatë dhe kjo situatë e solli të nevojshme edhe miratimin e një akti të tillë normativ. Por gjithashtu duke mbajtur kontakte tek familja edhe me Policinë e Burgjeve. Nga ana tjetër do t’u ushtrohet edhe kontroll sipas nevojave dhe specifikave që do ketë secili i dënuar. Në momentin që komisioni i IEVP do të përfundojë procesin brenda 5 ditëve, do ti propozojë Drejtorit të Pëërgjithshëm të Burgjeve për miratimin e lejes për qëndrimin në shtëpi të dënuarit, ose do të nxjerrë vendimin që është mohues për të dënuarin që nuk plotëson kritere. Më pas komisioni i ankimit do të jetë ai që do të shqyrtojë të gjitha rastet që I’u është mohuar nga komisioni i IEVP për shkak të elementëve që unë sapo përmenda.

Kryeministri Edi Rama: Qartë! Normalisht kemi ëmbëlsirën për në fund, por sot kemi ilaçin për në fund. Ogerta, e di që je e mbingarkuar dhe që ke një listë disa orësh gjumi që t’i kemi ne borxh ty, por të lutem disa pyetje të shpejta.

E para, materialet nga Turqia u morën në dorëzim?

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu: Ka filluar shpërndarja në të gjithë spitalet rajonale dhe universitare të gjithë elementëve dhe paketave të mbrojtjes personale për mjekët falë një angazhimi të menjëhershëm të asaj që qeveria turke vuri në dispozicion të këtij kanali të menjëhershëm të eksportit pa asnjë pengesë.

Kemi shpërndarë më shumë se 50 mijë elemente te seteve të mbrojtjes personale.

Presim që me furnizimet në vazhdim të kemi 167 mijë maska në dispozicion; 167 mijë veshje të padepërtueshme; doreza nitrile; më shumë se 50 mijë Tyvek priten të vijnë përsëri; 30 mijë size mbrojtëse; ekrane mbrojtëse gjithashtu, dhe gjithë seria e dezinfektatënve shumë të nevojshme.

Ne jo vetëm kemi rritur stokun, por do të vijojmë me këtë kanal komunikimi për të mbështetur sa më shumë mjekët dhe infermierët në luftën kundër këtij armiku të padukshëm.

Kryeministri Edi Rama: E bëtë sot atë bisedën që ishte planifikuar me homologun, apo akoma?

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu: Jo, kemi qenë në Këshillin e Sigurisë dhe homologu kishte ato orare të lira, kështu që ose sot në darkë vonë, ose nesër në mëngjes do ta ezaurojmë bisedën me të për gjithë suportin që do të na japin dhe po na jep tashmë prej ditësh shteti turk.

Kryeministri Edi Rama: Duhet theksuar që këto të gjitha janë materiale që janë të blera nga qeveria jonë, pra, janë pjesë e buxhetit të luftës. Por nderi i madh dhe faktikisht, avantazhi i madh, falë këtij  nderi, është që qeveria turke, me urdhër të Presidentit, hapi kanalin e eksportit, sepse ne kemi pasur edhe anulime. Pra, angazhime të marra më parë dhe pastaj anulime si rezultat i vendeve që kanë mbyllur kufijtë për të eksportuar këto lloj materialesh. Kjo e bën shumë më të komplikuar këtë luftë dhe kjo e bën të domosdoshme që ne tani të garantojmë rezervat e stoqeve dhe janë një rezervë e konsiderueshme dhe do vazhdojmë me rezervat e tjera, falë këtij kanali të hapur që kemi dhe tani nuk  kemi atë ankthin që mos na mbyllin kanalet. Kështu që kjo ishte për t’u nënvizuar dhe të falënderoj që e vlerësove, që ta dëgjojnë edhe të tjerët, sepse është realisht një hapje ekskluzive kanali, falë Presidentit, ndërkohë që Turqia, Kina, apo edhe ndonjë vend tjetër janë të mbytura nga kërkesat.

Përsa i përket testeve, jemi duke bërë më shumë teste? Lidhur me parashikueshmërinë që me sa unë ndjek kurbën jemi brenda parashikimeve, bazuar tek parashikimi i efektit të masave shtrënguese?

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu: Numri i testeve nuk është në dëshirën e askujt. Të gjitha testet që zhvillohen në Laboratorin e Virologjisë realiziohen në saj të një përkufizimi të rastit i cili është rekomandim i OBSH dhe vendim i Komitetit të Ekspertëve Teknikë në MSH.

Ne testojmë, testojmë, testojmë të dyshuarit; testojmë ata të cilët kanë nevojë që të dinë nëse janë te prekur apo jo nga koronavirusi, dhe testojmë me fokus ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Kemi bërë testime aq sa nevoja ka pasur. Në të gjithë Shqipërinë jemi duke punuar për të identifikuar rastet që kanë simptoma të shprehura të COVID-19.

Nëse Komiteti i Ekspertëve merr vendimin për të testuar gjithë popullatën, dhe këtu nuk është çeshtje buxheti, do na duhej t’i testonim përiodikisht, pasi ai që nuk rezulton sot, nesër mund të rezultojë i infektuar.

Numri i testimeve në javën e tretë në këtë situatë që jemi, është i rëndësishëm për t’u bërë pasi jo vetëm kapin rastet me problematika të shprehura, por ne shkojmë dhe një hap më tej tek kontaktet e afërta për t’i izoluar ata.

Jemi në javën e tretë, kurba do vijojë të rritet, masat që kemi ndërmarrë do të vlerësohen ndoshta jo këtë javë, por në fillimin e javës tjetër rreth datës 13. Ekspertët janë duke punuar disa modele matematikorë.

Lajm i mirë është që sistemi ynë shëndetësor po e përballon fluksin e të prekurve. Kanë qenë 73 qytetarë të shtruar, ndërkohë që këto orë kanë lenë spitalin 4 qytetarë pas ritestimeve të kryera.

Nëse ruajmë një kurbë të butë të përhapjes ne do të kemi një sistem shëndetësor që i përgjigjiet nevojave të situatës.

Kryeministri Edi Rama: Edhe një pyetje lidhur me opsionin për të hapur spitalin e ri shumë shpejt. Keni filluar sot kontaktet?

Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu: Po, kemi bërë një vlerësim në një objekt, të cilin ne po e shqyrtojmë si mundësi për ta kthyer në një strukturë spitalore bazë për ata pacientë që do të kenë nevoja të trajtimit jo specialistik. Nuk po flasim për ato me terapi intensive, por për ata të cilët duhet të kenë nevojë për hospitalizim dhe një terapi bazë mjekimi. Duke e vlerësuar këtë opsion kemi bërë sot një investigim në vendin ku mendojmë dhe vlerësojmë që do të jetë ky objekt, ku shumë shpejt vlerësojmë që do t’i nënshtrohet një rehabilitimi dhe më pas plotësimit të nevojave bazë me mobilimin spitalor dhe me aparaturat bazike, që ne vlerësojmë për t’i patur së afërmi dhe për të përballuar çdo fluks të nevojshëm.

Ky është një skenar që ne e konsiderojmë skenar të katërt në rrethin e skenarëve që ne po projektojmë, ku spitali i parë Covid që ka 120 shtretër është spitali infektiv në QSUT. Më pas, shumë shpejt jemi gati të hapim spitalin e dytë që është gati për të ofruar shërbim për pacientët Covid, që është spitali “Shefqet Ndroqi”, më pas, struktura e ish kirurgjisë në QSUT. Spitalet jopublike gjithashtu i janë bashkuar skenarëve tanë. Sigurisht do të jetë edhe kjo strukturë, një strukturë spital-karantinë apo spital i nevojave bazike për të gjithë ata të sëmurë simptomatikë, të cilët kanë nevojë për hospitalizim, apo për kujdes, apo asistencë mjekësore.

Kryeministri Edi Rama: Kur e kemi një qartësi që jemi OK me këtë plan?

Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu: Ne jemi duke vlerësuar të gjithë instrumentin ligjor që padyshim është edhe më i lehtë në raport me nevojën që ne kemi. Po shikojmë të gjitha këto opsione dhe po bëjmë dhe një vlerësim ekonomik dhe një studim fizibiliteti edhe nga pikëpamja e plotësimit të nevojave që kjo strukturë do të ketë në raport me kohën, pasi koha duhet të jetë e shpejtë, qoftë nga pikëpamja proceduriale, qoftë nga pikëpamja e furnizimit.

Kryeministri Edi Rama: Shpejt, kur?

Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu: Ne e kuptojmë që do duhet të veprojmë shpejt, por brenda një afati 20 ditor, ne mendojmë që jo të mbyllim spitalin, por të kemi filluar punimet për të rehabilituar dhe paralelisht për të mundësuar më pas edhe furnizimin në vazhdim.

Kryeministri Edi Rama: Në 20 ditë po e fillove do të bëj një monument tek hyrja e spitalit. Ju faleminderit!

Top Channel