Java e ardhshme është afati i fundit i dhënë nga SHBA-të ndaj Qeverisë Kurti për heqjen e plotë të taksës ndaj Serbisë.

Kështu kanë thënë për Top Channel burime brenda ambasadës amerikane në Prishtinë.

Por, Kurti ka vazhduar me qëndrimin e dhënë gjatë së enjtes për heqje të pjesshme të taksës, për të cilët nuk po pajtohet as partneri i koalicionit, LDK-ja.

Ndërsa kryeparlamentarja, Vjosa Osmani  tha se mos heqja e taksës rrezikon partneritetin strategjik me SHBA-të dhe BE-në.

Presidenti Hashim Thaçi nga vizita në SHBA përmes facebook përcolli mesazhet e Shtëpisë së Bardhë.

Kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe e vendimeve të mençura, e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur në mënyrë të ndjeshme raportet tona speciale me SHBA-në. Mbetja në fuqi e tarifës është pengesë serioze dhe e pamundëson bashkëpunimin strategjik dhe investimet e reja të fuqishme amerikane në Kosovë. Prandaj, nevoja që me urgjencë të merren vendimet e duhura ishte kërkesë dhe mesazh kryesor në takim me Sekretarin Pompeo dhe me Këshilltarin për Siguri Nacionale, O’Brien. Edhe kërkesa ime e qartë si president për qeverinë, për spektrin politik dhe mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës është që pa humbur kohë të merren vendimet e duhura strategjike, të cilat i japin fund izolimit, i hapin mundësi dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe e forcojnë miqësinë e përhershme dhe bashkëpunimin strategjik me SHBA-në.

Në anën tjetër, janë partitë opozitare të cilat po kundërshtojnë heqjen e taksës, e të cilat kanë thirrur edhe seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të hënën në ora 11.

Dallime në qëndrime nuk patën vetëm LVV e LDK. Derisa SHBA-të dolën kundër vendimit të Kurtit duke e quajtur gabim serioz, BE-ja e vlerësoi hap pozitiv drejt rifillimit të dialogut.

Top Channel