“Çështja e Kosovës të zgjidhet dhe do zgjidhet”/ Ministri rus: Do nxisim dialogun Kosovë- Serbi

26/02/2020 12:59

Në një konferencë të përbashkët mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm të Federatës Ruse, Sergey Lavrov, ky i fundit tha se ndër të tjera, pjesë e diskutimeve të tyre në Moskë ishte edhe çështja e Kosovës.

Lavrov deklaroi se Rusisë i intereson që të arrihet një marrëveshje Kosovë- Serbi dhe se ajo do të nxisë këtë dialog që të arrihet drejt një përfundimi.

”Folëm edhe për Kosovën, kemi për qëllim të nxisim dialogun që të arrijnë një marrëveshje me Serbinë. Çështja e Kosovës të zgjidhet dhe do zgjidhet. Palët e interesuara duhet të gjejnë një marrëveshje dhe ne besojmë se një faktor kyç për të ecur përpara është zbatimi i vendimit të krijimit të bashkive serbe kemi dhe angazhime dypalëshe me kryetarët e komisionit për tregti dhe ekonomi”, tha Lavrov.

Po kështu, gjatë fjalës së tij, ministri u shpreh:

“OSBE-ja mund të bëjë më shumë për të përputhur hapësirat e integrimit në pakicat etnike, për të luftuar kundër islamofobisë; në përvjetorin e  Luftës së Dytë Botërore të pajtojmë ndarjet politike dhe t’u japim fund përpjekjeve për të nxitur neonazizmin në Evropë, është në interesin tonë të përbashkët që të ketë një qëndrim të tillë.”

Po kështu, Lavrov tha:

“Do vazhdojmë të zhvillojmë lidhjet humanitare, edhe studentët shqiptarë që duan të studiojnë në Rusi; jemi të interesuar të rrisim kuotën për studimin e tyre falas.”

Top Channel