Pranë Qafë Botës, policia greke kap 794 kilogram hashash. Ja nga vinte

24/02/2020 18:16

Një sasi prej 794 kg kanabis sativa u sekuestrua gjatë një operacioni të Deparatamentit të Anti drogës greke, në vendin e quajtur Nes Siqeliana në afërsi të kufirit shqiptaro grek në zonën e Qafë Botës.

Sipas komunikatës për shtyp të policisë greke, lënda narkotike ishte ngarkuar në pjesën fundore të një kamioni me targa greke, në të cilin ndodheshin një çift grekësh, të cilët u arrestuan në flagrance. Sic raporton korespondenti i Top Channel Artur Bibe, policia thotë se kishte informacion se çifti i grekëve shërbente si korrier për transportimin e drogës, dhe i kishte vënë ata nën survejim 24 orë në 24.

Mësohet se droga vinte me mushka e ngarkuar nga kufiri shqiptar dhe pasi magazinohej në afërsi të banesës së dy shtetasve të arrestuar, ngarkohej me destinacion Athinën, ku edhe i dorëzohej një shtetasi shqiptar, identeti i të cilit është zbuluar.

Për këtë transport, çifti i grekëve deklaroi se do të merrte 5000 euro. Ata pohuan se kishin vështirësi financiare ndaj edhe nisën transportin e lëndës narkotike aktivitet që e kishin bërë edhe herë të tjera.

Dy të arrestuarit u dërguan në gjykatën e Igumenicës e cila vendosi t’i lërë në burg deri në zbardhjen e hetimeve ndërkohë që ka shpallur në kërkim edhe një shtetas shqiptar, i cili do të priste ngarkesën e drogës në Athinë.

Top Channel