Una delle ambulanze che hanno trasportato all'ospedale Sacco di Milano una delle persone contagiate dal Coronavirus. Milano 21 Febbraio 2020. ANSA / MATTEO BAZZI

Rastet e koronavirusit në Itali po vazhdojnë të rriten. Pas të premtes, ditë në të cilën u identifikuan 15 raste në Lombardi dhe dy në Veneto, numri i pacientëve të prekur të shtunën ka shkuar në 27 në Lombardi dhe dy në Veneto.

Ndërkohë në total, viktimat janë dy. Një në Veneto, një burrë 78 vjecar, dhe tjetra, sipas Ansës, në Lombardi. Viktima e dytë, u regjistrua mëngjesin e të shtunës dhe bëhet fjalë për një grua.

Ministri i shëndetësisë, Roberto Speranza ka lajmëruar se shumë shpejt edhe në Veneto, krahinën që mban qytetin e Venecias, do të merren masa kufizuese si ato të marra për 10 komunat në rrezik në Lodigiano. Ndërsa rrezikon të njëjtën gjë edhe Lombardia, me kryeqytet Milanon, ku një nga rastet e prekura nga virusi raportohet se është në gjendje të rëndë.

Kryeministri italian, Giusepe Conte, ka deklaruar ndërkohë se të gjitha masat e nevojshme do të merren ndërkohë që ka tentuar të qetësojë popullatën duke thënë se nuk duhet të shqetësohet, pasi qeveria kishte një plan dhe po e vendos në jetë atë. Ndërsa kërkesës së Mateo Salvinit për të pezulluar Shengenin, Konte i’u përgjigj duke thënë se një gjë e tillë nuk është e nevojshme për momentin.

“Ne po verifikojmë të gjithë personat që kanë hyrë në kontakt me këta pacientë. Mund të ketë një rritje të mëtejshme të rasteve, por e rëndësishme është të të marrim masat për të evituar përhapjen e mëtejshme”, thotë Konte.

Bilanci i viktimave në nivel botëror tani ka shkuar në 2360. Numri total i rasteve të konfirmuara në anën tjetër është 77662 ndërsa pacientët e shëruar 21029. Drejtori i OBSH ka shkruar në twitter se në 80 për qind të rasteve, prekja nga koronavirusi është e lehtë, në 20 për qind kritike dhe në 2 për qind virusi është fatal. Pas Kinës, veçanërisht shqetësuese është situata në Korenë e jugut, ku numri i rasteve është dyfishuar brenda një dite. Zyrtarët të shtunën thanë se 229 raste të reja ishin konfirmuar që nga e premtja, duke e çuar numrin total në 433.

Top Channel