Qeveria mblodhi 26.3 miliardë lekë ose 215 milionë euro më pak të ardhura se plani në buxhetin e vitit të kaluar duke konfirmuar situatën e vështirë të financave të shtetit.

Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e financave tregojnë se pjesa më e madhe e mosrealizimit vjen nga tatimet dhe doganat, të cilat kanë regjistruar një mosrealizim prej 154 milionë euro krahasuar me planin e caktuar në buxhet. Pjesa tjetër e deficitit i dedikohet të ardhurave nga ndihmat dhe ato që mbledh pushteti vendor.

Buxheti i shtetit është një enë e madhe që mbledh të ardhura nga shumë taksa. Por cilat janë zërat që kanë patur ecurinë më të dobët gjatë vitit të kaluar? Sipas të dhënave, thuajse i gjithë mosrealizimi i administratës fiskale është nga të ardhurat e tatimit mbi vlerën e shtuar.

E konsideruar si shtylla që mban në këmbë buxhetin e shtetit, tvsh gjeneroi vitin e kaluar gati 155 milionë euro më pak se sa plani I parashikuar, ndërsa të ardhurat nga taksat e tjera kanë kompesuar njëra tjetrën.
Por si e ka prekur ekonominë dhe shërbimet publike ky mosrealizim?

Për shkak se ka mbledhur më pak para nga sa kishte parashikuar, qeveria është detyruar të shkurtojë shpenzimet për të mos rritur borxhin. Sipas të dhënave pjesa më e madhe e shkurtimeve kanë rënduar mbi investimet publike, zëri më produktiv të shpenzimeve qeveritare, i cili gjeneron punësim dhe rritje ekonomike.

Vitin e kaluar qeveria investoi në projektet publike si rrugë, shkolla dhe spitale, 100 milionë euro më pak nga sa kishte parashikuar për të kompesuar mungesën e të ardhurave. Veç investimeve pjesa tjetër e shkurtimeve ka ardhur nga anulimi i rritjes dhe fondit për politika të reja pensionesh, ndërkohë që një pjesë është kursyer nga interesat e borxhit.

Top Channel