Jepet vendimi, ja kur do të mbahet gjyqi për korrupsion ndaj Netanyahu-t

19/02/2020 06:02

Gjyqi për korrupsion i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu do të fillojë më 17 mars, njoftoi një gjykatë izraelite. Zoti Netanyahu akuzohet për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në një numër rastesh, në të cilat dyshohet se ka pranuar dhurata të majme nga miqtë e tij miliarderë dhe ka shkëmbyer favore për të siguruar një mbulim më pozitiv nga mediat.

Në një deklaratë të shkurtër, gjykata tha se zoti Netanyahu pritet të marrë pjesë në seancën e hapjes. Më 2 mars Izraeli do të zhvillojë zgjedhjet kombëtare, të tretat në më pak se një vit.

Udhëheqësi i opozitës Benny Gantz thotë se ai do të punojë për të përmirësuar lidhjet me Partinë Demokrate të Shteteve të Bashkuara, nëse i fiton zgjedhjet kombëtare që mbahen muajin tjetër. Ish shefi i shtabit të ushtrisë akuzoi kryeministrin Netanyahu për shpërfillje të marrëdhënieve me të dyja partitë, duke marrë si favor mbështetjen ekskluzive të Partisë Republikane të Presidentit Donald Trump.

Në prag të zgjedhjeve të treta kombëtare në më pak se 12 muaj, zoti Netanyahu i ka theksuar së tepërmi marrëdhëniet e tij me Presidentin Trump dhe është akuzuar se është armiqësuar me demokratët. Si Gantz ashtu edhe Netanyahu kanë bërë thirrje për mbështetje nga të dyja partitë për Izraelin në Shtetet e Bashkuara. Sondazhet parazgjedhore tregojnë se as Gantz dhe as Netanyahu nuk kanë shanse të qarta për të fituar shumicën parlamentare./VOA

Top Channel