Kulla e Haklajve u braktis përfundimisht në fund të vitit 2006. Plaku i kësaj dere Muharremi, dhe djali i vetëm i mbetur gjallë Hamdiu nuk janë parë më në ato anë. E gjithë familja, ka nisur një jetë të re në Suedi, ku kanë fituar azil politik.

“Babai jonë Muharrem Haklaj jeton, është këtu në Suedi bashkë me gjithë familjen, ai përpiqet të na japë kurajo, zemër, përpiqet nipërit e mbesat ti këshillojë e të na bashkojë. Nëna jonë e ndjerë vdiq në dhjetor 2011 në Suedi”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve

Amaneti i saj që të prehej pranë djemve nuk është plotësuar. Muharremi sot 93-vjeçar, dhe i biri Hamdiu 69-vjeçar janë meshkujt e vetëm që mbijetuan pas vrasjes së 4 djemve të tjerë.

Ata, janë përpjekur të mbajnë gjallë mbiemrin dhe të kujdesen për 14 nipërit dhe mbesat. Fatkeqësitë, i kanë ndjekur edhe në vendin nordik. Bashkëshortja e djalit më të vogël, Yllit, ka humbur jetën në një aksident. Tre fëmijët, sot janë të rritur, por pas babait, Yllit, ata humbën edhe nënën e tyre.

Koha nuk mund të shuajë vuajtjet që fëmijët kanë parë me sy. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, fëmijët e Haklajve nuk mund të shuajnë dot nga kujtesa zhurmat e plumbave dhe historitë e hakmarrjes.

Sot, 14 fëmijët e kësaj familjeje janë në moshë madhore dhe kanë mësuar të gjithë historinë e ngjarjeve të rënda. Ata kanë parë nga afër vitet e fundit kullën e rrafshuar dhe varret e dëmtuar të prindërve.
Familja Haklaj, nuk mendon rikthimin në atdhe, edhe pse është një nga ëndrrat e tyre. Frika e hakmarrjes nuk është shuar as tani. Të vetmit që kanë shkelur në kullën e të parëve janë nipërit e familjes, fëmijët e 4 djemve të mbetur jetim.

Nga më të moshuarit, deri te nipërit, pjesëtarët e familjes janë integruar në shoqërinë suedeze. Ata kanë përfituar edhe shtetësinë dhe sot punojnë në profesione të ndryshme. Zylfija, dikur mësuese në Shqipëri, sot ka një profesion të ri në Suedi.

Edhe Aishja është përshtatur më së miri në vendin nordik. Ajo punon në të njëjtin profesion që ka pasur në atdhe.

Top Channel