Vetëm 1/7 e sasisë se mbetjeve urbane grumbullohet në bashkinë e Dropullit. Sasia e mbetjeve nga 41 fshatra shkon në 15 ton në javë por vendgrumbullimet e mbetjeve nuk respektohen nga qytetarët dhe njësitë në disa raste.

Zona më problematike duket se është ajo e Pogonit ku sipas kreut të bashkisë Dhimitër Toli në tri dekadat e fundit mbetjet nuk janë larguar asnjëherë. Me 2 mjete të vogla në dispozicion dhe një territor që kërkon të paktën 10 të tillë situata e ndotjes së mjedisit është alarmante. Z. Toli thotë se për herë të parë këtë vit do të trajtohen në vend mbetjet në njësinë e Pogonit ndërsa do të ketë penalitete për ata që nuk respektojnë vendgrumbullimet.

Bashkia e Dropullit me 22 mijë banorë filloi të pajisë me kosha këtë vit disa prej zonave të Dropullit të Sipërm duke sjellë një përmirësim të situatës për banorët por në luginë ende problemi më madhor mbetet vend depozitimi përfundimtar i mbetjeve. Sasia e mbetjeve që bashkia grumbullon bashkë me sasinë që 80 biznese të mëdha krijojnë depozitohet e gjitha pranë rrjedhës së lumit Drino. Mbetjet po ndikojnë seriozisht cilësinë e ujërave ndërsa ideja e një landfield-i që mund të trajtonte mbetjet e të gjithë rajonit vijon të mbetet projekt prej gati 12 vitesh.

Top Channel