Frika nga virusi ‘mbyll’/ Mobile World Congress

14/02/2020 20:37

Anulimi i panairit më të madh të elektronikës në botë, ishte opsioni i vetëm përballë një force madhore, pasi frika nga koronavirusi ka detyruar dhjetëra kompani të qëndronin larg tij. Kështu deklaruan organizatorët e GSMA, që është edhe panairi më i madh në botë i pajisjeve elektronike dhe që mbahet çdo vit në Barcelonë mes 24 dhe 27 shkurtit.  Panairi tërheq rreth 110 mijë pjesëmarrës.

Mobile World Congress 2020 është një nga eventet më të mëdha në botë që anulohet deri më tani për shkak të frikës nga virusi.

“Ne shqyrtuam të gjitha të dhënat dhe dolëm në përfundimin se pjesa më e madhe e kompanive që planifikonin të merrnin pjesë në panair, nuk do të ishin atje”, thanë organizatorët e panairit. Koronavirusi ka marrë më shumë se 1 mijë jetë njerëzish dhe ka prekur dhjetëra e mijëra të tjerë, veçanërisht në kinë, vend ky që ka një prezencë të madhe në kongresin botëror të telefonisë mobile, një event kyç në kalendarin teknologjik për prezantimin e aparaturave dhe risive më të fundit. Por, javët e kaluara, një numër kompanish janë tërhequr, pavarësisht garancive nga qeveria spanjolle se rreziku për shëndetin është i ulët në një vend ku virusi nuk është shfaqur ende. Kompani si Vodafone, Nokia, Deutsche Telekom, BT, Rakuten, Intel, Facebook, Cisco dhe Vivo, ishin tërhequr nga eventi.

Top Channel