Vijon aksioni i FNSH-së, Shqiponjave, Patrullës së Përgjithshme, Policisë Kriminale dhe asaj të Qarkullimit Rrugor me pika kontrolli të lëvizshme, në orare të ndryshme ditën dhe natën, por edhe kontrolle të befasishme për automjetet në lëvizje në të gjitha qytetet e vendit.
E gjitha kjo vjen si pjesë e planit të masave për kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë, me mjete të blinduara pa dokumentacionin përkatës, për goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe bllokimin e mjeteve të vjedhura si dhe mbajtjen nën kontroll të personave me precedent kriminal.
Si rezultat i kontrolleve, gjatë 72 orëve të fundit, janë shoqëruar në Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe, një numër i konsiderueshëm automjetesh luksoze, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimit të dokumentacionit.
Njëkohësisht janë shoqëruar në të gjitha Drejtoritë Vendore, 134 persona me precedent kriminal apo pa dokument identifikimi me vete, të cilët qarkullojnë në orët e vona të natës. Këta persona i janë nënshtruar verifikimeve dhe kontrolleve të mëtejshme.
Kontrolle të tilla me afat kohor të shkurtër, do të vijojnë në të gjithë vendin edhe në ditët e ardhshme. Raportohet se të gjashtë komisariatet në Tiranë kanë dalë me postblloqe.
Ndërkaq, burime të Top Channel bëjnë me dije se krahas sekuestrimit të makinave të blinduara të Dashamir Gjokës dhe Durim Bamit, OFL ka sekuestruar edhe makinën e blinduar të Plaurent Dervishit, i njohur si kunati i Lul Berishës.
Top Channel