E braktisi para 48-vitesh, nëna e penduar takon për herë të parë djalin e saj

01/02/2020 21:24

Mbrëmjen e sotme programi “Dua të të bëj të lumtur” u hap me një histori të jashtëzakonshme, plot dhimbje dhe emocion. Protagonisti kryesor i kësaj historie, Kujtimi i kishte shkruar redaksisë së programit për të mundësuar për herë të parë një takim me nënën biologjike.

Historia e Kujtimit kishte nisur para 48-vitesh kur mamaja e tij, Rajmonda kishte qenë e re dhe ishte dashuruar. Fatkeqësisht pas një periudhe Rajmonda ishte ndarë dhe kishte ngelur shtatzënë. Tepër e re dhe e detyruar nga rrethanat edhe nga mentaliteti i njerëzve, ajo e kishte lënë Kujtimin në spitalin ku kishte lindur.

Kujtimi në studio rrëfeu se e kishte kërkuar nënën e tij biologjike për vite të tëra, por pa asnjë rezultat pozitiv. Ai i kishte shkruar programit para një viti dhe gjatë gjithë kësaj kohe gazetarët e kishin ndjekur si rast derisa kishin rënë në gjurmët e nënës biologjike. Programi “Dua të të bëj të lumtur” e kishte gjetur nënën biologjike të Kujtimit, e cila kishte pranuar ftesën për të ardhur në studio.

Gjatë bisedës që u zhvillua midis moderatores, Arbana Osmanit dhe zonjës Rajmodna u zbulua që në anën tjetër të ekranit ishte pikërisht djali i saj, Kujtimi, të cilin e kishte lindur dhe braktisur para 48-vitesh. Nëna e Kujtimit e penduar dhe e përlotur në studio rrëfeu se e kishte kërkuar djalin e saj por pa asnjë rezultat.

“Të kam thirrur këtu për të të falënderuar që më solle në jetë. Nuk kam pasur kurrë qëllim që të të paragjykoj, thjesht doja të dija prejardhjen time e të të takoja ty!”- ishte mesazhi i djalit për nënën e tij.

Në fund pas shumë momentesh prekëse dhe emocionuese nënë e bir u takuan për herë të parë pas 48 vitesh në studion e programit “Dua të të bëj të lumtur”.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA