Kryeministri Edi Rama nga Roma, nisi një tur vizitash në kryeqytetet evropiane, në funksion të para-përgatitjeve për konferencën e donatorëve fiksuar të mbahet më 17 Shkurt në Bruksel.

Fillimisht në Palazzo della Farnesina, kryeministri zhvilloi një mëngjes pune me Luigi Di Maio, Ministër i Punëve të Jashtme të Italisë e më pas me Palazzo Chigi, me homologun Giuseppe Conte.

Dëmet e tërmetit të 26 Nëntorit dhe mbështetja e mëtejshme e Italisë mike në funksion të Rindërtimit, ishte kryetema e diskutimit Conte-Rama, në vigjilje të Konferencës së Donatorëve.

Kryeministri Edi Rama në këto takime falenderoi autoritetet e larta italiane për ndihmën e deritanishme, sidomos për faktin që mbrojtja civile italiane u gjend në terren për të ndihmuar që në orët e para pas tërmetit të 26 nëntorit.

Me bashkëbiseduesit italian kryeministri Rama mësohet se ka theksuar rëndësinë që merr për Shqipërinë konferenca e donatorëve në mënyrë që të mblidhen mjaftueshëm fonde për të bërë të mundur rindërtimin sa më të shpejtë të zonave të prekura./Muhamed Veliu/

Top Channel