Reforma Zgjedhore, Kryemadhi: Të miratohet pa humbur kohë, opozita mori përgjegjësinë e saj para shqiptarëve

14/01/2020 17:42

Pas uljes në një tryezë të përbashkët të opozitës jashtëparlamentare dhe mazhorancës sa i takon Reformës Zgjedhore ka reaguar kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Përmes një postimi në Facebook, Kryemadhi shkruan:

“Integrimi Evropian i Shqipërisë nuk mund të sakrifikohet për asnjë arsye. Gjithëpërfshirja dhe dialogu politik janë të vetmet rrugë me të cilat mund të realizojmë reformat e nevojshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj pa humbur kohë të miratojmë një reformë zgjedhore që u mundëson qytetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur të lirë, pa presionin e bandave, intimidimin me vendin e punës dhe nën kërcënimin e levave të pushtetit. Opozita sot mori përgjegjësinë e saj përpara qytetarëve shqiptarë për të realizuar reformën zgjedhore, e cila është edhe një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu Gjerman për të bërë të mundur hapjen e negociatave në Samitin e Zagrebit. Kjo pikë ka qenë deri tani e vetmja alibi e pushtetit për të bërë bashkëpërgjegjëse opozitën për dështimet e saja në integrimin evropian të vendit.”

Më tej shton:

“Nga sot, pas dakordësisë së opozitës në unison, për të përmbyllur me konsesus dhe nën prezencën e faktorit ndërkombëtar Reformën Zgjedhore, i duhet Qeverisë dhe maxhorancës të tregojë se është e gatshme të mos mbajë më peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Nga sot është kjo maxhorancë që duhet të përmbyllë tetë pikat e tjera të kushteve mjaft të qarta të Bundestagut Gjerman.
Nga sot është kjo maxhorancë që duhet të heqë dorë nga bllokimi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë sipas Kushtetutës pa keqpërdorur mekanizmat e saja qorre në KED apo në Parlament.
Nga sot është përgjigjësia e kësaj maxhorance të bëhet gati për implementimin e Reformës zgjedhore që do të miratohet me konsesus.
Nga sot është përgjegjësia e kësaj maxhorance që të plotësojë kushtin e vënies para drejtësisë së vjedhësëve të votave, dosja 184 dhe 339.
Nga sot është përgjegjësi e maxhorancës të japë shembuj për luftën ndaj korrupsionit të saj. Dhjetra dosje të korrupsionit qeveritar janë në sirtaret e Prokurorisë.”

Për ta përmbyllur me:

“Sot opozita, me marrjen e përgjegjësisë për të vetmin kusht që duhet kontributi i saj për të zhbllokuar integrimin në BE, tregoi që mbi interesat partiake apo llogaritë meskine elektorale vendos të parën të ardhmen e shqiptarëve. Shqipëria është e para! E ardhmja evropiane e saj është e para!”

Top Channel