Në një kohë kur viti 2019 u mbyll me 2700 shoferë të arrestuar e po ashtu me një numër më të lartë të të vdekurve në aksidentet rrugore se 2018, këtë vit policia në vetëm një javë ka pezulluar 371 patenta e po ashtu ka arrestuar 54 shoferë, një pjesë e tyre në gjendje të dehur, ndërsa pjesa tjetër pa leje drejtimi.

Por si e lexon eksperti i sigurisë rrugore Gëzim Hoxha, këtë aksion të policisë rrugore:

“Heqja e patentave në mënyrë masive nuk është një gjë pozitive, është negative, sepse tashmë ajo do të krijojë një stres tek qytetarët.Se dyti ka një dukuri tjetër shumë negative, pasi ajo nuk heqje patente për drejtuesin e mjetit, por është heqja e patentës për të gjithë familjes’, ka thënë Gëzim Hoxha.

Eksperti Hoxha po ashtu shton se ndryshimi i Kodit Rrugor, ishte i gabuar.

“Mbi 20 km, hiqet leja e drejtimit, pra ne duhet ti afrohemi vendeve të komunitetit europian, psh po marr rastin e Greqisë, që e ka heqjen e lejes së drejtimit mbi 50 km, mbi atë te lejuarën”, shton ai.

Ndërsa për Specialistin e Sigurisë rrugore, Fisnik Ziçishti, ky aksion është në rrugën e duhur dhe se duhen shtuar energjitë.

“Duhen shtuar më shumë patrullat dhe duhet toleranca zero për personat që shkelin kodin rrugor. Duhet të shtohet teknologjia. Çdo rrugë duhet të jetë e monitoruar me kamera, me radar, që të mund të evidentohen shkelësit e rrugës”, tha Fisnik Ziçishti.

Por shoferët nuk janë i vetmi problem kur bëhet fjalë për aksidentet. Ziçishti shpjegon:

“Edhe rrugët si shoferët..ka pika të errëta ku duhet një ndërhyrje shumë e shpejtë nga ministria përkatëse, për ti eliminuar këto pika të zeza. Pra është edhe faji i infrastrukturës në këtë mes”.

Së fundmi, policia rrugore e Tiranës, krahas rrugëve që lidhin kryeqendrën me qytete të tjera, ka filluar monitorimin e rrugëve të brendshme, me Radarin TrueCam. Rast ky që përdoret kur shihet se brenda në qytet, ka rrezik te shtuar për aksidente. / Andi Bora/

Top Channel