Thuajse të përditshme po bëhen reagimet e tensionuara të banorëve të zonave të ndryshme të Greqisë dhe sidomos të tre ishujve të Egjeut Samos, Hios dhe Lesbos sa i përket çështjes së emigracionit.

Këtyre reagimeve nuk u ka shpëtuar as zëvendësministri grek i Punës që është pritur me fishkëllima dhe britma zemërimi nga banorët e Hios gjatë hyrjes së tij në mbledhjen e Këshillit bashkiak ku tema kryesore ka qenë pikërisht protesta për krijimin e qendrave të mbyllura për emigrantët dhe refugjatët në ishujt e Egjeut.

Megjithëse qeveria greke po përpiqet të transferojë mijëra emigrantë në Greqinë kontinentale, banorët e tre ishujve në fjalë me kampet e tyre të emigrantëve tashmë të mbipopulluara, protestojnë vazhdimisht për gjendjen në të cilën ndodhen, ndërsa fluksi i refugjatëve që vijnë nga brigjet turke nuk ndalon.

“Numri i banorëve vendas arrin në 7000 vetë tani në dimër. Kurse i emigrantëve dhe i refugjatëve shkon në 9000 vetë”, u shpreh Georgios Stantzos kryebashkiaku i Samos.

Javën që vjen është planifikuar në keto tre ishuj, protestë e përgjithshme e banorëve që kërkojnë zgjidhje nga qeveria, por edhe ndihmë nga BE-ja.
Greqia vazhdon të jetë në vijën e parë të krizës së migracionit në Europë duke pranuar gjatë vitit që kaloi mbi 60000 emigrantë nga Turqia, të cilët vijnë kryesisht nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme, por edhe Afrika e Veriut, me synim Evropën Qendrore. E ndërsa për disa mijëra pasi vijnë, fillon kalvari i vonesave për të marrë kërkesën e azilit dhe pritja në kampe me kushte tepër të vështira, shumë të tjerë nuk arrijnë të realizojnë ëndrrën e tyre që ndërpritet në mënyrë tragjike në ujërat e Egjeut apo Mesdheut.

Top Channel