E akuzon për vjedhje votash, por PD ulet në bisedime për reformën zgjedhore me Damian Gjiknurin. Ja shkaku

14/01/2020 20:02

I ftuar në studion e emisionit “Top Talk”, ishte ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu.

Temë dite në studio ishte Reforma Zgjedhore, e cila më në fund ka një hapje të negociatave midis PD-PS pas ngërçit të krijuar nga Partia Demokratike. Ato kanë kërkuar me muaj me radhë përjashtimin e Damian Gjiknurit nga diskutimet për reformën zgjedhore. Demokratët kërkonin largimin e Gjiknurit nga tavolina e bisedimeve për shkak se e akuzonin si të përfshirë në manipulimin e votave në zgjedhjet lokale të Dibrës.

Por PD-ja nuk kërkoi vetëm përjashtimin e Damian Gjiknurit, por edhe të përfaqësuesve të opozitës parlamentare, kusht i cili ka rënë gjithashtu. Kujtojmë që ditën e sotme janë takuar përfaqësuesit e opozitës Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, të cilët janë ulur për të diskutuar me Damian Gjiknurin dhe Rudina Hajdarin. Duke konfirmuar në këtë mënyrë dëshirën e madhe të gjitha palëve për të çuar përpara zgjidhjen e krizës politike që ka përfshirë të gjithë vendin.

Në studio, Klevis Balliu u shpreh se Reforma Zgjedhore është një nga 9-të pikat e kërkuara nga Bundestag-u gjerman. Sipas tij rishikimi i Reformës Zgjedhore është zgjidhja e vetme që qytetarët të jenë të lirë për të votuar.

“E para kjo faktoi që tezat e Edi Ramës opozita nuk duhet, se kjo nuk është më opozitë, kjo nuk ekziston më, sepse ka dalë nga sistemi nga institucionet të cilat praktikisht janë inekzistente. Sot ka rënë praktikisht si tezë, sepse u vërtetua se pa partinë demokratike pa opozitën e vërtetë dhe reale nuk mund të ketë asnjë lloj reforme të qenësishme. Këtë nuk e themi thjesht ne, por këtë e thotë dhe Bundestag-u, i cili ka kërkuar që Reforma Zgjedhore të behet me konsensus. Mos të harrojmë që janë nëntë kushte të Bundestag-ut, kushti i parë është implementimi i Reformës Zgjedhore dhe e theksoj fjalën implementim që do të thotë zgjedhje. Bërja e Reformës Zgjedhore dhe më pas kalimi në zgjedhje të parakohshme për të implementuar pikërisht atë reformë. Që një reformë të implementohet do të thotë që duhet të ketë zgjedhje dhe mbi të gjitha absolutisht kjo nuk ndalon kauzën kombëtare sot për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mos të harrojmë sistemi zgjedhor nuk ka lidhje me arrestimin e atyre që kanë vjedhur votat. Nuk është sistemi elektoral që largon drogën nga votimet që pengon pagesat blerjen e votës ndaj qytetarëve shqiptar. Ato janë çështje të drejtësisë. Është e domosdoshme që Shqipëria të ecë përpara që të kemi zgjedhje të mira dhe të ndershme. Shpartallimi i marrëdhënies të qeverisë me krimin e organizuar, duke arrestuar atë që kane vjedhur vota dhe për t’i vënë ata pas hekurave. Kjo është e vetmja mënyrë që qytetarët do të jenë të lirë për të votuar”, tha Klevis Balliu.

Gjatë bashkëbisedimit të tyre gazetari Denis Dyrnjaja ngriti pyetjen në drejtim të ish-deputetit se “atëherë meqë përmendni ata që kanë vjedhur vota, Damian Gjiknuri është një nga ata që kanë vjedhur vota dhe ju po uleni me Damian Gjiknurin prapë në tryezë për reformën zgjedhore. Është ky një paradoks, ka ndryshuar Damian Gjiknuri apo ka ndryshuar Partia Demokratike?”

Kësaj pyetje Balliu iu përgjigj se Partia Demokratike nuk ka ndryshuar asnjë mendim për personat me precedent penal. Ai është shprehur se nuk e vendos Partia Demokratike personin me të cilin do të prezantohet Partia Socialiste në sytë e Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara. Sipas tij Partia Demokratike ka qëllim vetëm rikthimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Partia Demokratike nuk ndryshon asnjë mendim, asnjë akuzë dhe asnjë dosje të cilit iu kanë bërë një precedim penal, por Partia demokratike nuk mund të vendosi se me kë kërkon të përfaqësohet Partia Socialiste në sytë e Europës. Mos të harrojmë që kjo është një reformë dhe një mënyrë për ta zgjidhur këtë çështje të kërkuar nga Evropa. Mos të harrojmë dhe përshëndetjen e fundit që ka bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj lëvizjes së opozitës së bashkuar. Nuk e zgjidhim ne se me kë do të përfaqësohet Partia Socialiste përballë Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është çështje e tyre ajo. Se çfarë problemesh kanë ato me njëri tjetrin është çështje e tyre ajo. Ne kemi një qëllim të vetëm rikthimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe zgjedhjeve të lira për t’i sjellë zgjidhje problemeve të qytetarëve shqiptar”, u shpreh anëtari i opozitës.

Top Channel