Në Durrës, në zonën e njohur si “Dy Gjelat”, një pallat 6-katësh i ndërtuar në periudhën e diktaturës, u zhyt dy kate duke i marrë jetën dy grave të moshuara. Banorët ishin ankuar në instancat ligjzbatuese për ndërhyrjet në kullonat e pallatit që kishte bërë pronari i lokalit “Barons” në katin përdhe. Askush nuk reagoi. Sot, Prokuroria po heton për ndërhyrjet në pallat që më tepër se tërmeti, përbën shkakun kryesor të shembjes së godinës.

Top Story, ka zbuluar një rast skandaloz ku ndërthuren interesat e biznesit dhe papërgjegjshmëria e zyrtarëve shtetërorë, ndoshta akoma më keq, mpleksja e interesave të dy palëve.

Një pallat që ndodhej në rrugën “Bajram Tusha” në Shkozet, u shpall i pabanueshëm përfundimisht dhe u shemb me tritol nga IKMT. Pallati, kishte dëmtime të rënda në strukturë dhe vetëm fati e mbajti në këmbë. Aty strehoheshin dhjetëra familja. Agravimi i kushteve teknike të pallatit më tepër se nga tërmeti, është shkaktuar nga vetë njerëzit.

Në tërmetin e parë të fuqishëm të 21 Shtatorit të këtij viti, pallati pësoi dëmtime të rënda në strukturë, por u shpall i banueshëm. Lidhur me inspektimin e kryer është mbajtur edhe një akt-konstatimi që Top Story e ka siguruar ekskluzivisht.

Konkretisht, në raportin e mbajtur pas inspektimit të kryer nga grupi i inxhinierëve më 9 tetor 2019, sqarohet se ka pasur cedime të themeleve, janë plasaritur kolonat mbajtëse dhe ka s’postime të murit mbajtës. Vetëm pasi të kryheshin këto punime banorët duhet të ktheheshin të jetonin aty. Asnjë ndërhyrje e përcaktuar nga inxhinierët e shtetit nuk u bë dhe banorët vijuan të jetonin deri në tërmetin e 26 nëntorit kur pallati u shpall i pabanueshëm.

Në këtë rast, nuk jemi vetëm përballë papëgjegjshmërisë së zyrtarëve, por ky është edhe një rast shpërdorimi detyre. Shkaqet që ky pallat arriti në degradim total janë ndërhyrjet në strukturë.

Top Story siguron foton që tregon se si janë gërmuar themelet për të rritur lartësinë parukerisë të shndërruar në Dupleks. Aty shihet se ndërhyrjet kanë sjellë çedimin e themeleve duke dobësuar strukturën e pallatit. Kjo ka ndikuar në spostimin e murit të pallatit që në 21 Shtator. Skandaloz është fakti që ndërhyrja për interesa të biznesit ka vijuar edhe pas tërmetit të 21 Shtatorit sipas dëshmive të banorëve. Pra, jo vetëm që nuk u bënë përforcimet e strukturës, por u vijua me dëmtimet strukturore.

Për abuzimet që vijonin të ndodhnin janë vënë në dijeni policia dhe prokuroria. Askush nuk reagoi.

Top Channel