Humbja e 25 jetëve në Thumanë është një dhimbje e madhe për secilën nga familjet. Tërmeti u tregua i pamëshirshëm për banorët e 2 pallateve që u rrafshuan totalisht. Rasti i familjes Greku ishte ndër ato që përcolli edhe më shumë dhimbje tek publiku që ndiqte ngjarjet minutë pas minute nga ekrani i televizorit. Në katin e tretë të një pallati ishin duke fjetur babai Pëllumb Greku, gruaja e tij, Çelike Greku dhe djali i tyre 30 vjeç Saimiri. Ky i fundit i martuar dhe me fëmijë.

Goditja e tërmetit ishte fatale për Pëllumbin dhe gruan e tij Çelike. Ndërsa djali Saimir mbeti i gjallë nën rrënoja. Aty u lokalizuan menjëherë forcat e shpëtimit për ta nxjerrë sa më shpejt nga betoni që i kishte rënë sipër.
“Duke hap rrënojat aty pashë fotografinë vajzë dhe nuses së këtij djali. Dhe nuk e dija nëse ishin gjallë apo ishin aty brenda. Mendova se ishte shuar e gjithë familja”, tregon Gent Jakupi.

Nxjerrja gjallë e Saimir Grekut shkaktoi gëzim të madh dhe ngriti shpresat për mbijetimin e të tjerëve. Ai lajm bëhej i gëzueshëm aq më tepër kur deri në atë moment flitej vetëm për nxjerrje trupash të pajetë. Nuk mungoi as trishtimi i gazetarëve të Top Channel, që raportonin këtë ngjarje të dhimbshme.

Të gjithë morën vesh që Saimir Greku ishte gjallë, pati ovacione. Futëm në transmetim me kolegun Ilir Paço, nis të them lajm i mirë, lajm i mirë nga Thumana. Sepse kisha raportuar deri në atë moment vetëm lajmë të këqija… Them: Ilir lajm i mirë, lajm i mirë nga Thumana. Saimir del, kalon para nesh, niset me urgjencë për spital dhe më pas ndërron jetë. Ishte a paimagjinueshme”, rrëfen Met Veliu, gazetar i Top Channel.

“Mora vesh të nesërmen që kishte ndërruar jetë. Ndonjëherë fajësoj edhe veten se mbase nuk reaguam shpejt”, tregon Gent Jakupi, Vullnetar.

Top Channel