Fiks fare denoncoi skandalin e radhës me pronat në Lushnje, ku në qendër të një konflikti është trualli dhe shtëpia e këngëtares Vaçe Zela.

Qytetari që ka blerë truallin po endet prej 21 vitesh në dyert e policisë, prokurorisë, gjykatës dhe hipotekës.

Ai e ka blerë me dokumente të rregullta, por një ish-drejtues hipoteke falsifikoi dokumentet dhe ia dha truallin një personi tjetër.

Drejtori u dënua nga Gjykata, por blerësi nuk mori zgjidhje.

Fiks fare faktoi me dokumente, zë dhe figurë këto falsifikime, të cilat kanë vijuar edhe në ditët e sotme, ku Hipoteka pasi doli falsifikimi i parë, nxori një dokument tjetër fals.

Ndërkohë, një ish drejtor hipoteke, Sajmir Korreshi, tashmë avokat, pranoi se ka marrë një milionë lekë ryshfet nga qytetari për t’ia regjistruar pronën. Sërish nuk ia regjistroi dhe zyrtari i ktheu qytetarit 700 mijë lekë, duke i mbajtur 300 mijë lekë të vjetra.

Falsifikimin e pranuan edhe drejtori i kadastrës edhe prokurori, të cilët mbajnë në sirtarët e tyre këto dokumente.

Përgjatë 21 viteve, qytetari vetëm sa është sorollatur, dhe ende nuk ka gjetur zgjidhje, megjithëse janë dënuar, shkarkuar dhe proceduar punonjës shtetërorë.

Top Channel