Administrata tatimore do të miratojë një model të thjeshtuar deklarimi për individët e dypunësuar që do të kenë detyrimin të plotësojnë deklaratën vjetor të të ardhurave.

“Ne do të marrim masa që sapo ligji të miratohet të poropozojmë një model të thjeshtuar deklarate, ku do të deklarohen vetëm pagat jo të ardhurat e tjera”, tha Delina ibrahimaj, drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve.

Qeveria ka propozuar që nga 1 janari i vitit të ardhshëm të gjithë personat e dypunësuar të bëjnë deklarimin vjetor pavarësisht nivelit të të ardhurave që ata kanë. Për shkak të regjimit progresiv të taksimit, ky ndryshim rrit barrën fiskale për qytetarët që bëjnë dy apo më shumë punë. Por sipas tatimeve, qëllimi nuk janë të ardhurat.

“Qëllimi i këtij rregullimi është vendosja e barazisë dhe drejtësisë në treg”, tha Ibrahimaj.

Drejtoresha e Tatimeve ilustroi me një rast se si sot personat e dypunësuar paguajnë më pak se sa ata që kanë një rrogë, për të njëjtin nivel të ardhurash.

“Një person që merr 58 mijë lekë nga një punë paguan 3600 lekë taksa. Një person që merr 58 mijë lekë nga dy punë paguan zero taksa”, tha Ibrahimaj.

Aktualisht detyrimin për të bërë deklarimin vjetor të të ardhurave e kanë qytetarët me të ardhura më shumë se 2 milionë lekë në vit. Por nga një janari, ky detyrim do të shtrihet tek të gjithë personat që bëjnë më shumë se një punë, pavarësisht nivelit të të ardhurave.

Klodian Tomorri

Top Channel