BeH dhe Mali i Zi pa qëndrim të prerë për “Mini-Shengenin”

10/11/2019 17:35

Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Herzegovinës, Denis Zvizdiq pas takimit të sotëm të liderëve të Ballkanit Perëndimor tha se BeH nuk ka qëndrim përfundimtar për të nismën e liderëve të Ballkanit Perëndimorë.

“Të takohemi më shpesh dhe në mënyrë më efektive në vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke pasur parasysh që BeH nuk mori pjesë në përgatitjen e kësaj nisme, unë u thashë kolegëve të mi se ne nuk kemi një qëndrim të caktuar për këtë iniciativë. BeH duhet të njoftohet me këtë iniciativë, modeletet në bazë të të cilave do të hiqen pengesat doganore. Sipas kësaj BeH do të merr pozicionin e saj përfundimtar pasi t’i analizojë të gjitha gjërat në përputhje me procedurat tona”-tha Zvizdiq.

Mendim të ngjashëm kishte edhe ministrja për Ekonomi e Malit të Zi, Dragica Sekuliç.

“Mali i Zi është vendi që është më afër se të gjitha vendet e rajonit për sa i përket qëllimit për tu anëtarësuar në BE. Ne gjithashtu jemi nënshkruese të CEFTA-s. Secila iniciativë duhet të shihet për sa i përket përfitimeve të qytetarëve dhe nëse e përshpejton rrugën tonë drejt BE-së. Është një mundësi e mirë për të folur më shumë rreth kësaj në takimin e radhës në Durrës”-tha Sekuliç.

Kryeministri Zoran Zaev ishte nikoqir i takimit trilateral të liderëve nga Ballkani Perëndimor që u mbajt sot në Ohër. Në takim morën pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve, midis të cilave, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Këshilli Rajonal për bashkëpunim, Komisioni Evropian, Banka Botërore dhe Banka Investuese Evropiane.

Top Channel