Rumania që ka popullatën më të madhe të arinjve të murrmë në Evropë, po përjeton një numër në rritje sulmesh të tyre, veçanërisht mbi bagëtitë.

Fshatarët e prekur nga sulmet duan që të hiqet ndalimi i gjuetisë së arinjve, vecanërisht ligji i BE që e përcakton ariun si një specie të mbrojtur. Senatorët Rumunë kanë miratuar një ligj të debatueshëm që do të lejojë gjuetinë e arinjve gjatë pesë viteve të ardhshme, duke cituar mbipopullimin e kësaj specieje.

“Ka shumë prej tyre. Ata po sulmojnë derrat nëpër stalla. Një i afërm i imi humbi dy derra menjëherë pasi një ari kish hyrë në stallë gjatë natës. Nuk e di përse duhet ndaluar gjuetia e tyre”, shprehet Maria Jauca, banore.

“Mund të shohësh edhe tani gjurmët e ariut atje tej”, tregon një tjetër banore.

Sipas zyrtarëve, këtë vit është parë një numër në rritje incidentesh. Vitin e shkuar tre lopë ishin sulmuar ndërsa këtë vit, dy lopë dhe nëntë derra janë bërë viktima të sulmeve të arinjve të murrmë.

Për ekspertët, rastet e shtuara të përballjes me arinjtë nuk kanë edhe aq lidhje me numrin e arinjve të egër. Dëmet varen kryesisht nga sasia e ushqimit që ata gjejnë në natyrë. Në rastet kur arinjtë nuk mund të sigurojnë ushqim mjaftueshëm në natyre, ata i drejtohen qendrave të banuara.

Top Channel