Incident i rëndë në “Astir”/ Banorët godasin keq punonjësin e IKMT-së, i shkaktojnë fraktura në kokë dhe duar (EMRI)

07/11/2019 11:49
Foto ilustruese

Paraditen e së enjtes, Arben Bitri, punonjës i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, njoftohet se është goditur nga banorët e zonës së Astirit, duke i shkaktuar fraktura në kokë.

Ndërkaq, Bitri po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës. Burime pranë IKMT, thanë për Top Channel, se Arben Bitri ka qenë në shërbim së bashku me grupin e punës për të njoftuar banorët e Astirit se në këtë zonë do të kryhen punime.

Lidhur me këtë ngjarje, reagoi edhe Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit:

“IKMT denoncon fort këtë akt barbar mbi punonjësin e saj dhe kërkon nga organet përkatëse të shtetit të marrin masat e menjëhershme për vënien para përgjegjësisë se autoreve. Po ashtu IKMT u bën thirrje banoreve dhe qytetareve, se punonjësit e saj janë në shërbim te ligjit dhe komunitetit dhe nuk do te tërhiqen për asnjë moment nga detyrat e tyre, pavarësisht sjelljeve rrugaçërore, barbare dhe te paligjshme”.

Zona e Astirit është pjesë e projektit të Unazës së Madhe dhe një pjesë e konsiderueshme e shtëpive do të duhet të shemben për t’i hapur rrugë zbatimit të projektit. Për këtë arsye IKMT, ka dal me grupe shërbimi për të vënë në dijeni banorët që së shpejti do të fillojë puna.

Janë pikërisht banorët e Astirit ata që e kundërshtojnë këtë projekt dhe refuzojnë të dakordësohen lidhur me dëmshpërblimet e ofruara për banesat e tyre.

Prej një vitit, banorët e kësaj zonë protestojnë çdo mbrëmje në rrugën e Unazës së Re, duke kundërshtuar shembjen e shtëpive të tyre.

Prej një viti, protesta e tyre është zhvilluar duke bllokuar rrugën Teodor Keko, por pas ndryshimeve të Kodit Penal, të cila hyn në fuqi në datën tetë tetor, ku thuhet se gjithkush që do të bllokojë rrugën dhe qarkullimin e mjeteve rrezikon deri në tre vite burg, banorët e Astirit kanë protestuar në trotuaret e rrugës.

Andi Bora

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA