Kanabisi mjekësor vlerën më të madhe të përfitimit ekonomik e ka kur kthehet në vaj, pasi përdoret për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Sipas specialistëve nga një litër vaj kanabisi fitohen deri në 95 mijë euro.

Procesi i bërjes së vajit të kanabisit kryhet nga njerëz të specializuar dhe nga makineri të posaçme për realizimin e tij. Kjo për të patuar një cilësi sa më të lartë të vajit të kanabisit.

Shumë njerëz në vendet që nuk është i lejuar përdorimi i kanabisit për qëllime mjekësore e prodhojnë atë në kushte shtëpie.

“U shpjegojmë njerëzve që s’ka rëndësi përqindja, por doza që merret. Kur e blen nga tregu i zi, do ta marrësh me përqindje më të lartë, sepse merr më shumë doza për të njëjtën sasi parash. Por zakonisht, një përqindje e mirë për kancer, ose për sëmundje të tjera të autoimunitetit, është të paktën 50% THC. Në tregun e zi zakonisht shkon në 55%, 60%. Deri në 65% e më shumë”, tregon Davor Angelovski, mjek, Maqedoni e Veriut.

Por le të rikthehemi edhe një herë te procesi i prodhimit të vajit të kanabisit në këtë fabrikë.

Kanabisi që kultivohet me llamba, ka THC-në më të lartë dhe është më cilësor, ndërsa kanabisi që prodhohet në ambiente të jashtme ka përqindje më të lartë të CBD-së dhe është i cilësuar si kanabis industrial.
Gjatësia e një bime kanabis të rritur në natyrë mund të shkojë deri në katër metra. Nga kjo bimë përdoren të gjitha pjesët e saj. Gjethet dhe lulet mund të përdoren për prodhimin e produkteve të ndryshme kozmetike, ndërsa kërcelli përdoret në industrinë e tekstilit. Pra, kërcelli përdoret për prodhimin e veshjeve që sot janë nga më të shtrenjat ose për prodhimin e litarëve të anijeve.

“Bima kur kultivohet në ambiente të jashtme, ku lartësia e saj mund të arrijë nga dy në katër metër. Kërcelli i saj përdoret në industrinë e veshjeve. Është një cilësi tepër e lartë pasi është shumë e fortë dhe elastike, si dhe ka shumë fibra”, tregon Besnik Papçorri, Investitor për Kanabisin, Maqedoni e Veriut.

Top Channel