Nga Siria amerikanët ikin në Irak/ Civilët kurdë i qëllojnë me patate, shprehin indinjatën për largimin

21/10/2019 19:50

Civilët kurdë i `bombarduan` me patate të kalbura makinat e trupave amerikane gjatë largimit të tyre nga qyteti i Qamishlit, në verilindje të Sirisë.

Banorët kanë shprehur në këtë mënyrë indinjatën ndaj asaj qe e shohin si braktisje nga Shtetet e Bashkuara.

Me lënien e pozicioneve ushtarët amerikane zbatuan vendimin befasues të presidentit Donald Trump për tërheqjen nga zona. Kurdët konsiderojnë se lëvizja e Trumpit i hapi rrugën ofensivës së Ankarasë dhe forcave paraushtarake mbështetëse të saj në rajon për të sulmuar luftëtarët kurdë në Siri të cilët qeveria turke i konsideron terroristë.

Kamionët me trupat amerikanë kaluan kufirin duke hyrë në Irak. Personeli i SHBA-së qe luftoi në krah të forcave demokratike siriane do të vendoset shumica në Irakun perëndimor, e kjo ishte një surprizë tjetër, duke qenë se presidenti Trump javën e  kaluar ishte shprehur se trupat “do të ktheheshin në shtëpi`.

Gjendja në verilindje të Sirisë vazhdon të mbizotërojë në politikën amerikane e në Washington kanë nisur debate të ashpra mbi politikën e jashtme të administratës së Trumpit.

Në zonat në verilindje të Sirisë, që janë ende nën kontrollin kurd, pati njoftime për viktima pas tërheqjes amerikane. Zyrtarët kurdë paralajmërojnë për masakra të vazhdueshme nga sulmet turke, pavarësisht armëpushimit që Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe zëvendëspresidenti Mike Pence, ndërmjetësuan javën e kaluar me Turqinë.

Top Channel