Klasa e rusishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës siç e shikoni, ka ngelur bosh për këtë vit të ri akademik. Asnjë kandidat për student nuk ka aplikuar për këtë degë.

“Aktualisht pa asnjë student të regjistruar është dega e gjuhës ruse, e cila fatkeqësisht për këtë vit akademik ka shumë mundësi të mos hapet në vit të parë”, shprehet Alban Foçi.

E ndërkaq gjuha greke, turke dhe frënge ka gjithashtu një rënie të ndjeshme në numrin e të regjistruarve. Rreth 300 kuota kanë mbetur të lira në këtë Fakultet, për shkak të kriterit të mesatares 7.5, tregon zv dekani Alban Foçi. Nëse rusishtja më parë kishte më shumë se 50 nxënës, përfshirja e ciklit Bachelor në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, si fushë mësuesie ka ndikuar që dega të mos hapet.

“Mësuesia është një nga drejtimet, por nuk është drejtimi I vetëm. Dhe ne nuk mund të penalizojmë gjuhët e vogla që na duhen edhe për qëllime të tjera, si përkthim, PR,pra jo vetëm për mësuesi të penalizohen për mesataren e mësuesisë”, shton zv. Dekani.

Vendimi i qeverisë përcakton se maturantët që të pranohen në ciklin e parë të studimeve të larta veç fushës së mësuesisë, kriterin e mesatares e kanë 6.5. Por kjo nuk vlen për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, e që si rrjedhojë sjell mbylljen e gjuhës ruse.

“Nga pikëpamja historike është shumë shqetësuese se ka qenë një nga gjuhët e para që është dhënë në Shqipëri dhe ka qenë e si bërthama e krijimit të UT. Nga pikëpamja ekonomike ndoshta mund të mos ketë interes për çastin, por nuk mund të mbyllësh një degë 70 vjeçare vetëm për shkak se vendoset një mesatare për këto gjuhë që s’kanë lidhje drejtpërsëdrejti me mësuesinë”, thotë Foçi.

Kristi Gongo

Top Channel