Koordinatorët kombëtarë kundër ekstremizmit te dhunshëm të Maqedonisë së Veriut , Kosovës dhe Shqipërisë u mblodhën në Tiranë për të diskutuar per riintegrimin dhe kthimin e shtetasve që u rekrutuan gjatë luftimeve në Siri.

Por Agron Sojati, koordinator kundër ekstremizmit të dhunshëm shpjegon për TOP CHANNEL se është skanuar identiteti i të gjithë shtetasve shqiptare që u larguan pak vite më parë drejt Sirisë dhe që pritet të kthehen.

“Rreth 143 shqiptarë u bashkuan luftimeve në zonat në konflikt, përfshirë gratë dhe fëmijë, me një raport prej 80 meshkuj ne moshë madhore të aftë për të marrë pjesë në struktura terrori që ne tashmë i njohim. Rreth 45 janë kthyer, pjesa tjetër pritet të jetë në agjendën e kthimit”, ka thënë Agron Sojati.

Të dhënat zyrtare tregojnë se aktualisht gjenden në Siri 73 shtetas shqiptarë prej të cilëve 30 fëmijë dhe 20 femra.

A mund të ndodhë që këta shtetas të kthehen brenda këtij viti?

“Besoj qe jemi ne këtë agjendë, por prapë themi që ka edhe faza që na shkëputet sinjali sepse flasim për zona që janë larg jo vetëm gjeografikisht por edhe jemi me facilitim nga partnerët. Kjo e bën të pamundur të vendosim afate fikse. Por ajo që është e rëndësishme është që po inventarizohen të gjithë njerëzit që ndodhen atje”, shprehet Agron Sojati.

Por pika më e fortë janë të afërmit e atyre që gjenden në Siri, për të bashkëvepruar me autoritete.

“Informacioni është diçka, që sa vjen dhe pasurohet, pra nuk jemi në një raport ku fotografohet një informacion dhe lëvizim. Patjetër që ka informacion mbi angazhimin e shumë individëve dhe rolit që ata kanë pasur”, shton Sojati.

Pak kohë më parë Gjykata dënoi nëntë persona në Tiranë për çështje të terrorizmit dhe të rekrutimit të shtetasve shqiptare në ISIS. E ndërsa historia e parandalimit të ekstremizmit nuk është vetëm një çështje gjyqësore, për autoritetet e rëndësishme është që derisa të mbërrijnë të gjithë të rekrutuarit, shtetasit e kthyer ti kthehen jetës normale.

Prej tyre prej tyre janë kthyer 45 shtetas dhe 26 janë vrarë në këto luftime.

Top Channel