Popullsia që jeton brenda kufinjve të Shqipërisë do të numërohet vitin e ardhshëm. Instituti i Statistikave lajmëroi nisjen e censusit të popullsisë dhe banesave.

Që në tetor të këtij viti do të bëhen testimet e para, ndërkohë 8500 persona do të angazhohen për të shkuar në çdo shtëpi, ku qytetarëve do t’u kërkohet plotësimi i pyetësorëve. Elsa Dhuli, drejtore e komanduar e INSTAT thotë se numërimi do të bëhet në tetor- nëntor të 2020-s dhe se formularët përmbajnë pyetje nga më të ndryshmet për gjendjen e popullsisë në atë moment.

Plotësimi i formularëve është i detyrueshëm dhe për këtë do të bëhet një sensibilizm i fortë.

Nëpërmjet censusit, do të shihen ndryshimet e popullsisë në dekadën e fundit, madhësia dhe struktura e familjeve, migracioni, arsimi, punësimi, kushtet e banimit, e të tjera. Të dhënat që do të sigurohen do të përdoren për hartimin e politikave sa më efikase në nivel qendor dhe lokal. Në censusin e fundit, atë të vitit 2011, popullsia banuese e Shqipërisë ishte 2 821 977 banorë, me rënie 8% krahasuar me censusin e vitit 2001.

Top Channel