Labova e Vogël e Zhapës është mes zonave të harruara në njësinë Odrie në Gjirokastër. Braktisja masive për shkak të distancës me rrugën dhe pamundësisë për të zhvilluar ekonomi fitimprurëse ka lënë në këtë fshat malor jo më shumë se 10 banorë të moshuar.

Ata thonë se shërbimet nuk ekzistojnë për këto zona por më kritik mbetet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm. Foto dhe Zoica Xhavara thonë se problemi i furnizimit me ujë është i pazgjidhur për 15 vjet dhe kërkon shumë pak investim. Ndërmarrja aktuale e ujësjellësit ka kryer një inspektim të rrjetit pak ditë më parë por ende asnjë ndërhyrje.

I rrethuar nga ujërat e burimet fshati i vogël detyrohet ta transportojë ujin e pijshëm nga burimet. Tubacionet plastike që gjenden më së shumti në sipërfaqe janë bërë të zakonshme prej dekadash për të gjithë njësinë Odrie.

Vite më parë thotë një tjetër banor që nuk jeton më në fshat të gjithë kishin ujë, sasia ishte e kontrolluar por uji nuk humbiste.

Përveç Labovës 1500 banorë të 3 fshatrave në Odrie të Gjirokastrës kanë probleme të vazhdueshme të furnizimit me ujë të pijshëm. Gurra e Labovës një prej burimeve më të bollshme të krahinës nuk është në gjendje të realizojë furnizimin pasi 80% e ujit humbet përgjatë rrjetit shpërndarës të ndërtuar 50 vjet më parë.

Kristina Fidhi

Top Channel