Rama, ftesë për dialog/ Basha: S’mund të fshihemi pas fletërrufeve apo kërkesave të pa sinqerta

18/09/2019 19:40

Reforma Zgjedhore trazoi zhvillimet politike në një kohë kur ajo po shihet nga ndërkombëtarët si shtysë për nisjen e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare.

Prezenca e OSBE ishte e para, e cila inicioi replikat ne distancë mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës pas ftesë publike për pjesmarrje në një tryezë diskutimi për sistemin zgjedhor të mërkurën e 25 shtatorit.

Kryeministri nuk hezitoi ti rikthehej letrave publike për opozitën jashtëparlamentare, por ndryshe nga të shkuarat krahas Lulzim Bashës ai iu drejtua edhe 6 krerëve të partive aleate. Edi Rama i kërkon drejtuesve opozitarë të takohen për të dialoguar pa kushte për reformën zgjedhore.

“Procesi ka nisur në Kuvend me opozitën parlamentare dhe do të mbyllet në Kuvend natyrisht, por mungesa juaj ne institucionin më të lartë vendimmarrës të republikës, nuk ju përjashton vetvetiu nga hapësira e diskutimit për Reformën Zgjedhore. Përkundrazi.

Të paktën ky është opinioni im dhe duke vënë re edhe mungesën tuaj në vetë tryezën e Komisionit Zgjedhor, ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat – sigurisht në rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte”, tha Rama.

Përgjigjia nga Lulzim Basha nuk erdhi përmes letrave. Për kryedemokratin reforma zgjedhore nuk mjafton për zgjidhjen e krizës.

“ S’mund të fshihemi pas letrave, flet-rrufeve publike apo kërkesave të pa sinqerta. Apo provokimve të rënda sic ai i ftesës nga Damian Gjiknuri i dyshuari kryesor i dosjes 184. Pranimi i situatës në vend, i paligjshmërisë dhe bashkëpunimit të kësaj qeverie me krimin mund të vendosë bazën për daljen nga kriza dhe një reforme zgjedhore bashkë me një reform politike”, tha Basha.

Kryedemokrati reagoi edhe për iniciativën e OSBE si bashkë-inicuese me dy bashkëkryetaret e komisionit të reformës zgjedhore.

‘Ne i kemi dhënë një përgjigje faktorit ndërkobmbëtar dhe një përgjigje negative i ka ardhur nga Rama. Sa i takon OSBE, pres të shprehet për raportin ODHIR dhe tre kryebashkikët kriminel”, tha kreu i PD.

Kjo është tentativa e parë konkrete publike për ti ulur palët përballë njëra tjetrës.

Elda Menga

Top Channel