Nxënësit e shkollës “Pjetër Budi” në Tiranë janë detyruar që gjuhën e huaj ta kenë italisht.

Dhjetëra prindër janë ankuar në redaksinë e “Fiks Fare” që fëmijët e tyre po detyrohen të mësojnë si gjuhë të parë italishten. Sipas ankesës, në fillim të muajit shtator u hodh një short, ku klasa e III b përfaqësohej nga një prind.

Prindi “zgjodhi” italishten dhe vetëm disa ditë më pas, prindi e hoqi fëmijën e vet nga klasa që jepej italisht dhe e çoi në anglisht. Drejtori i shkollës thotë se hodhi short dhe se italishtja është me detyrim. Prindërit thonë se klasa jonë ka 33 fëmijë.

“Vetëm dje mësuam se klasa jonë do të bëjë italisht dhe jo anglisht. Jemi kundër, pasi në momentin e shortit ka qenë prindi i një fëmijë”, shprehet znj.Denada Muça, e cila ka firmosur që fëmijët tanë të bëjnë italisht, kurse fëmija i saj të bëjë anglisht.

“Ajo e ka transferuar fëmijën e saj në një klasë tjetër, ku do të bëjë anglisht, kurse për fëmijët tanë zgjodhi që të bëjnë italisht” thonë prindërit.

Sipas tyre, në shkollë është bërë një short, pikërisht në datën 4 shtator 2019. Është mbajtur një procesverbal ku në këtë mbledhje si përfaqësuese e prindërve ka qenë znj.Denada që ka zgjedhur dhe ka rënë pikërisht që kjo klasa të bëjë italisht dhe jo anglisht.

Gazetarët e “Fiks Fare” takojnë kryetaren e këshillit të prindërve, e cila debaton në oborrin e shkollës “Pjetër Budi” me prindër të tjerë. Ata i kërkojnë llogari se përse ka firmosur në emrin e tyre dhe fëmijën e vet e ka transferuar në një klasë tjetër. Znj Denada i thotë se vendimmarrja ka qenë e shkollës.

Gazetari i kërkon një shpjegim, por znj Denada nuk pranon të përgjigjet. Pas disa minutash, zonja thotë se i ka lajmëruar prindërit. Gazetarët e pyesin se përse ka firmosur për fëmijët e tjerë dhe fëmijën e vet e ka transferuar në një klasë tjetër, ajo u thotë se e ka transferuar për problemet e saj. Prindërit takojnë edhe drejtorin e shkollës, i cili u thotë se italishtja është me detyrim, jo zgjedhje.

Fiksi pyeti edhe drejtorin e shkollës, ALbert Zhupa, i cili tha se “1 nga 3 klasat e treta ishte e detyruar të bënte italisht si gjuhë të huaj”.

Sipas tij ka një memorandum midis Ambasadës Italiane dhe Ministrisë së Arsimit ku kanë udhëzuar që 10 përqind e orëve të gjuhës së huaj në këtë shkollë duhet ta bëjnë në italisht, pasi kështu është përzgjedhur.

Drejtori pyetet edhe në lidhje me vendimmarrjen, se përse znj Denada Muça ka zgjedhur për klasën e III B, ndërkohë që fëmijën nuk e ka në atë klasë. Z. Zhupa shprehet se në atë kohë pra në 4 shtator 2019 e ka pasur fëmijën në atë klasë.

Pas datës 4 shtator znj Denada e ka hequr fëmijën nga ajo klasë. Sipas tij, kërkesën për transferim e ka bërë që në korrik, por i është miratuar pas datës 4 shtator. E pyesim se prindërit dyshojnë se ka qenë e paracaktuar, dhe ai thotë se jo, pasi është bërë një short i rregullt. Por, në short nuk ka qenë as mësuesja kujdestare për problemet e saj. Sipas tij, ka bërë 3 letra dy anglisht dhe 1 italisht, i ka mbyllur dhe i ka hedhur në tavolinë.

Tre prindërit që ishin në bordin e prindërve të tre klasave kanë marrë nga një letër. Për klasën e III b e zgjodhi znj. Denada e cila mori letrën “italisht”. Dhe disa ditë pas këtij shorti, shkolla “Pjetër Budi” ia heq fëmijën znj. Denada nga klasa e italishtes dhe ia transferon te një klasë anglisht. Fiksi shkoi edhe në Zyrën Arsimore të Tiranës, ku përgjegjësja thotë se ka bërë një verifikim për rastin në këtë shkollë dhe është vendosur që fëmija që është transferuar pasi të vendosej gjuha e huaj të kthehet në atë klasë.

Ndërkohë, për italishten, ajo thotë se ka një marrëveshje mes Ambasadës Italiane dhe qeverisë shqiptare. Dhe, pikërisht këtë “marrëveshje” po e zbatojnë nxënësit e shkollës “Pjetër Budi”.

Top Channel