“Beogradi po bën presion mbi serbët e Kosovës që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të votojnë për Listën Serbe”, thonë përfaqësuesit e tre subjekteve te tjera politike rivale; koalicionit “Liria”, Partisë së Serbëve të Kosovës dhe Partisë së Pavarur Liberale, që i takojnë komunitetit serb.

Sipas tyre, presion në forma të ndryshme po ushtrohet edhe mbi përfaqësues, aktivistë e simpatizuesve të subjekteve politike serbe, për ta zbehur dhe dobësuar garën e tyre në 6 tetor.

Rada Trajkovic nga koalicioni “Liria”, tha për Radion Europa e Lirë se trysnia  ndaj qytetarëve serbë të Kosovës vjen me kërcënimet do të humbasin vendet  e punës në rast se votojnë kandidatë të subjekteve tjera politike serbe dhe jo të Listës Serbe, që është në pushtet prej 7 vjetësh.

“Frikësimi i qytetarëve”, shprehet Trajkovic, “ka dhe forma të tjera.”

I një linje është dhe Aleksandar Jabllanovic, lider i Partisë së Serbëve të Kosovës, që thekson se presion ka pasur dhe më parë, por tani ai është shtuar ndjeshëm, duke mbërritur në nivele që i përcakton si “të tmerrshme”.

“Ne, si parti, kemi një presion të jashtëzakonshëm këtu në veri, të shkaktuar nga ana e institucioneve të Qeverisë së Serbisë, si dhe nga struktura të caktuara kriminale, të cilat janë të njohura për Policinë e  Kosovës” është shprehur ai, duke shtuar se gjithë kjo situatë orkestrohet nga Beogradi me qëllimin të frikësohen të gjithë serbët që mendojnë ndryshe nga politika e tij zyrtare.

Top Channel