Mercedes është skuadra që i bashkohet kampionatit botëror të Formula E për sezonin 2019/2020.

Skuderia gjermane që prej vitesh po dominon edhe botërorin e Formula 1 teksa ka fituar 5 tituj radhazi, ka bërë prezantimin e makinës së re me të cilën do të zbresë në pistë në këtë kompeticion dhe që do të drejtohet nga Stoffel Vandoorne dhe Nyck de Vries.

Për Drejtorin e Mercedes Totto Wolff, pjesëmarrja në Botërorin e Formula E është një mision i ri për ‘Shigjetat e Argjendta’. Ai shtoi se skuderia gjermane me këtë pjesëmarrje po hap një kapitull të ri dhe se synimi i saj është të të luftojë për të fituar gara apo kampionatin, por jo që në sezonin e saj të parë. për këtë edicion të Formula E, Mercedes do të kërkojë të mësojë e të marrë sa më shumë informacione.

Botërori i Formula E do të hyjë në edicionin e tij të 6 këtë vit me francezin Jean Eric Vergne që është kampioni për pilotë, ndërkohë që Mercedes dhe Porsche janë risia e sezonit të ri të këtij kampionati. Sezoni 2019/2020 i Botërorit të formula E do të përbëhet nga 14 gara në 12 qytete të botës dhe do të nisë në 24 nëntor me Çmimin e Madh të Arabisë Saudite dhe do të mbyllet në 26 korrik 2020 në Londër.

Top Channel