Pak metra nga salla e seancave plenare, Lulzim Basha doli për të kërcënuar deputetët për pasojat e votës së tyre, para se ata të ngrinin kartonët për rrëzimin e dekreteve presidenciale për dy kontratat më të mëdha infrastrukturore.

“Koncesioni i rrugës Milot Balldre i Ndue dhe Agim Kolës, me vlerë 296 milionë euro apo 17 milionë euro /km dhe koncensioni i rrugës Orikum Dukat i Lorenc Gjikurisë me vlerë 70 milionë euro. Kjo është vjedhje me ligj. Ndaj dua të paralajmëroj sot dhe pikë së pari çdo anëtar të seancës që ngre dorën për të votuar këtë vjedhje me ligj se nesër do të jetë subjekt i Ligjit Antimafia”, është shprehur Basha.

Sipas Lulzim Bashës me dy koncesionet e rrugëve po ndiqet e njëjta skeme si për Unazën e Re.

“Është një vjedhje me ligj. Sepse ky projekt i ardhur me propozim të pa kërkuar por i diskutuar në restorantin privat të kryeministrit dhe në disa restorante të tjera luksoze të oligarkëve përreth Kryeministrisë, të bërë gjoja në emër të një kompanie të vogël që zyrtarisht është në pronësi të familjes Kola, ish- deputetit të Partisë Socialiste, Ndue Kola dhe që për partner në punime ka klonimin e vetvetes përmes hapjes së një kompanie që nuk ka kryer asnjë punë deri më sot “Bardhi Konstruksion, sh.p.k”; kjo e krijuar në fund të vitit 2018 me kapital 100 mijë lekë”, ka thënë Basha.

Si rrallë herë nga djegia e mandateve seanca plenare do vëzhgohet nga demokratët deri në përfundim të saj për të mbajtur shënim mënyrën si do votojnë deputetët duke i paralajmëruar për hetim të rreptë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar.

“Sot po ju vëzhgojmë dhe mbajmë shënim emrat. Nesër do t’ju ndjekim këmba këmbës. Çdo qindarkë, çdo shpenzim në Shqipëri dhe jashtë saj, çdo pronë dhe pasuri e juaja do të jetë nën lupën e Ligjit Antimafia dhe të SPAK-ut. Çdo kompani private, çdo person privat dhe publik i përfshirë në këto afera, që nga procesi i hartimit deri tek miratimi, deri tek ngritja e dorës. Të gjithë, nga më i thjeshti ndihmës deri tek kryeministri, do ti nënshtrohen hetimit të pasurisë dhe të ardhurave, në Shqipëri dhe kudo që ti kenë”, tha Basha.

Kryetari demokrat njoftoi se kompanitë do të paralajmërohen edhe shkresërisht për pasojat penale si subjekte te ligjit antimafia.

Elda Menga

Top Channel