Tirana dhe Praga do të shtojnë bashkëpunimin mes tyre, veçanërisht start up-et në fushën e sipërmarrjes, rinisë dhe të kulturës.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po zhvillon një vizitë dy ditore në Çeki, ku u prit në një takim nga homologu i Pragës, Zdeněk Hřib, me të cilin bashkëbiseduan se ku dy qytetet mund të forcojnë marrëdhëniet dhe të ndërtojnë ura të reja bashkëpunimi në të mirë të qytetarëve.

Kryetari i Bashkisë së Pragës Zdeněk Hřib vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për energjinë në shërbim të transformimit të kryeqytetit shqiptar dhe shprehu vullnetin që ky bashkëpunim të forcohet.

“E falenderoj shumë Kryetarin e Bashkisë se Tiranës, për këtë takim të shkëlqyer dhe interesant. Ju përshëndes duke ju falenderuar dhe duke përgëzuar qytetarët e Tiranës për këtë kryetar bashkie kaq energjik, duke shpresuar që do takohemi sërish”, theksoi Zdeněk Hřib.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi homologun çek për mikpritjen, ndërsa shtoi se Tirana dhe Praga kanë shumë ura lidhëse mes tyre, çka e bën edhe më të domosdoshëm rritjen e nivelit të bashkëpunimit mes tyre. “Me kryetarin e bashkisë patëm një mundësi fantastike për të folur për urat e bashkëpunimit mes Tiranës dhe Pragës. Kemi shumë studentë, të rinj, të vjetër, edhe një qytet me përmasa sa të Tiranës dhe një histori fantastike. Besoj se një nga gjërat që mund të mësojmë nga bashkëpunimi me Pragën ka të bëjë me kulturën e start up-eve, me fokusin që është vënë te rinia sipërmarrëse, te rinia që prodhon, te rinia që zhvillon ekonomi”, tha Veliaj.

Ai shtoi se Praga dhe Tirana kanë mundësi të shkëmbejnë përvojat e suksesshme që kanë zbatuar edhe në fushën e politikave mjedisore dhe qyteteve të gjelbra.

“Ishte muzikë për veshët e mi që Praga, si Tirana, ka një projekt për 1 milion pemë rreth qytetit. Me sa duket ky është trendi i qyteteve, që duan të kufizohen me hapësira të gjelbra, për të diktuar se ku mbaron zhvillimi urban dhe ku fillon pjesa rurale dhe agro-turizmi, që duhet ruajtur. Besoj se për shumë prej këtyre fushave, ku Tirana kandidon për të qenë Kryeqyteti Evropian i Rinisë për vitin 2022, kemi shumë për të mësuar nga Praga”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se forcimi i marrëdhënieve mes qyteteve është bërë një domosdoshmëri për të kthyer në efekte të prekshme për qytetarët çdo lloj marrëveshje që lidhin qeveritë mes tyre. “Ashtu si dy qeveritë tona kanë një marrëdhënie të shkëlqyer, marrëdhënia mes kryeministrave, ministrave të jashtëm, parlamenteve tona, besoj që qytetet janë diplomacitë e reja. Diplomacia mes qyteteve mund të përkthejë në terma praktikë shumë nga protokollet dhe shumë nga marrëveshjet që i kemi në termat burokratikë”, tha Veliaj, ndërsa ftoi kryebashkiakun Zdeněk Hřib për vizitë në Tiranë.

Veliaj ndodhet në një vizitë zyrtare në Pragë ku do të marrë pjesë në Forumin e 27-të Ekonomik dhe Mjedisor të OSBE-së.

Top Channel