Çlirim Gjata në Top Talk: PD njeh opinionin e Venecias, hetimi i Parlamentit antikushtetues

11/09/2019 16:47

Pasi delegacioni i Komisionit të Tiranës përmbylli takimet me aktorët kryesorë të politikës në vend, nga ku pritet të japë një rezultat përfundimtar, i ftuar sot në emisionin “Top Talk”, sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata tha se Partia Demokratike e njeh opinionin e Venecias, por sidoqoftë e gjithë kjo situatë për të qe e ngutshme e ndërsa hetimi i parlamentit ndaj presidentit Meta, tërësisht antikushtetues.

Fillimisht, i pyetur nëse për partinë e tij vlen opinion i komisionit në fjalë, Gjata tha:

“Patjetër që vlen [opinion i komisionit] sepse Komisioni i Venecias është Komisioni i Venecias, jemi vend aspirant për në BE dhe derisa kemi firmosur dhe pranuar të gjitha kushtet për të qenë anëtarë me të drejta të plota në BE, do të thotë të pranosh mendimin e institucioneve ndërkombëtare. Aq më tepër Venecia që jep mendimin më të lartë juridik”, u shpreh ai.

Më tej, Gjata shtoi se çështja e Komisionit të Venecias, siç ju thamë edhe më sipër, ishte pak e ngutshme sepse vetë mënyra se si u soll parlamenti  me rastin e presidentit duke ngritur Komision Hetimor  është antikushtetuese.

“Ishte antikushtetues sepse kushtetuta thotë që me 2/3 parlamenti  i propozon Gjykatës Kushtetuese dhe është Gjykata Kushtetuese që bën hetim dhe shkarkon presidentit, nuk e shkarkon parlamenti presidentin, vetëm propozimin ka, Gjykata Kushtetuese e shkarkon parlamentin. Dhe në këtë rast parlamenti bën hetim dhe i kërkon mendim Komisionit të Venecias”, u shpreh ai.

Sipas tij parlamenti po shkel kushtetutën që po heton parlamentin:

“Patjetër, që kur është diskutuar, që kur është hedhur ideja kam thënë që po bënte një veprim antikushtetues. Ai mund t’i propozojë për një mijë e një arsye  apo edhe një çerek arsye me 2/3 që presidenti ka shkelur kushtetutën dhe duhet të largohet, këtu mbaron puna e parlamentit. E ka kushtetuta, është taksative, jo parlamenti të krjijojë një pushtet të shkarkojë një tjetër, po një arbitër si gjykata sepse jemi në nivele të larta jo në të ulëta”, deklaroi Gjata.

“Kushtetuta thotë një, dy, tre, raste kur shkarkohet presidenti. Për shembull një është kur kryen krim të rëndë, por kush e provon që ka kryer krim të rëndë, parlamenti? Si do bëjë hetim parlamenti që është krim i rëndë? Ndaj them që është e parakohshme dhe antikushtetuese. Përderisa kushtetuta ia ka ngarkuar një organi që të kryejë hetimin, përjashtohen organet e tjera”, tha ai.

Më tej, Gjata pohoi po ashtu se Partia Demokratike do ta pranojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Patjetër që do të njihet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por mos harrojmë diçka. Jurisprudenca nuk e pranon kurrë paragjykimin, e ndalon paragjykimin. Kur të vija dita ta diskutojmë”, tha Gjata.

Më tej, i mëshoi tezës se sipas tij, hetimi i parlamentit është totalisht antikushtetues, ndaj cilido qoftë propozimi i tij, Gjykata Kushtetuese është e detyruar të bëjë një hetim nga e para, pasi sekretari Gjata gjykon se i gjithë procesi në fjalë nuk është legjitim.

 

Top Channel