Situatë e pazakontë në Shërbimin Infektiv në Tiranë. 280 raste në ditë vetëm gjatë fundjavës janë paraqitur në këtë shërbim aq sa është shtuar ekipi i mjekëve për të përballuar fluksin e madh. Autoritetet dyshojnë tek uji që përdorin banorët në shtëpitë e tyre. Simptomat që pacientët paraqesin nuk lidhet me ato të virozave të stinës.

Autoritetet hedhin dyshime tek uji ndërkohë që janë marrë mostra të ujit të autoboteve që tregtojnë ujë nëpër Tiranë. Por nga ana tjetër qytetarët kanë denoncuar edhe ujin e ndotur që u ka mbërritur në rubinetat e çezmave të tyre nga ujësjellësi.

Gjithsesi për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë mjekët të infektivit bëjnë thirrje qytetarëve të cilat nuk kanë nevojë për shërbim urgjence të paraqiten më parë tek mjeku i familjes pasi ka shumë raste të cilët mund të menaxhohen edhe në kushte shtëpie me qëllim që t’i shërbehet siç duhet rasteve që në fakt janë urgjenca.

Janë tre poliklinika që qëndrojnë të hapura 24 orë në Tiranë, ajo me numër 10 që ndodhet pranë Oxhakut në Kinostudio, qendra shëndetësore nr.8 në zonën e ish-Bllokut dhe qendra nr.7 në Laprakë.

Alma Demiraj

Top Channel