Dhunuesi i turistëve mbetet në burg/ Mihal Kokëdhima: Nuk i preka me dorë, më morën zvarrë me makinë

18/08/2019 12:07

Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Mihal Kokëdhima,i përfshirë në konfliktin me turistët spanjollë pak ditë më parë në Porto Palermo, në lokalin e e tij.

Seanca gjyqësore është drejtuar nga gjyqtare Esmerilda Habilaj, ndërsa prokuror i çështjes ka qënë Saimir Smaka, ndërsa 51 vjeçari Koëdhima është përfaqësuar nga avokatët Erion Besimaj dhe Kujtim Cakrani.

Në nisje të seancës prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest në burg, ndërsa Kokëdhima akuzohet për veprat penale ” Kanosja”, Dëmtime të tjera me dashje dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Përpara nisjes se seancës gjyqësore nuk ka munguar edhe një bisedë mes avokatit dhe Kokëdhimës.

“Kaq interes për mediat nuk ka marrë as çështja e Bin Landenit në SHBA”-ka theksuar Kokëdhima.

“Normale që çështja jote do të marrë këtë vemendje publike sepse ka folur dhe kryeministri”, ia ka kthyer avokati.

“Unë e kam mik atë”, ka vazhduar Kokëdhima.

Më pas seanca ka vijuar me dyer të mbylluar,ndërsa pala mbrojtëse ka kërkuar masë sigurie më të lehtë,duke vendosur edhe garanci pasurore deri në 3 mijë euro, ose si edhe ta përcaktojë gjykata.

“Nuk ka rrezikshmëri shoqërore dhe nuk ka ndodhur që për shkatërrim prone të jepet arrest në burg”-ka theksuar mbrojtja.

Ndërsa Kokëdhima ëshstë mbrojtur vetë duke theksuar: “Më morrën zvarrë me makinë.

Kjo çështje, nuk e di si është nuk kam prekur njeri me dorë, ku janë faktet, që i preka me dorë. Unë nuk theva xhamin për t’i dëmtuar, por për tu mbajtur. Unë mora targën, telefonova policinë dhe u hodha në kroskot, sepse donin të më shtypnin. Më rrëzuan në Qeparo, nga makina si ka mundësi kështu. Më lini të punoj, kam dy fëmijë në shkollë,në Gjermani”, ka thekuar Kokëdhima.

Gjithsesi gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg, duke lënë në fuqi kërkesën e prokurorisë, ndërsa menjëherë pas seancës ka reaguar avokati mbrojtës Erion Besimaj, i cili e ka quajtur të paligjshëm vendimin e gjykatës, ku sipas tij kjo është ndërhyrje e Edi Ramës, ndërsa ka theksuar se asgjë nuk ka ndodhur ashtu si flitet. Avokati ka theksuar se do e apelojnë vendimin për masën e sigurisë, ndërsa ka theksuar se ka paditur edhe turistët spanjollë.

Mihal Kokëdhima mbetet në burg pas përplasjes së pak ditëve më parë në Porto Palermo, ndërsa çështja tashmë do të apelohet duke pritur vendimin e gjykatës së Apelit.

Top Channel